Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria mbështet "strategjinë e përditësuar të Indo-Paqësorit të lirë dhe të hapur".
Kryeministri Rama po zhvillon një vizitë zyrtare në Japoni, ndërkohë është pritur ceremoni zyrtare nga kryeministrja japoneze, Sanae Takaichi.
Në deklaratën e tij gjatë takimit, kryeministri Rama u shpreh se presin fuqizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
"Marrëdhënia Japoni-Shqipëri është një marrëdhënie e cila është e bazuar tek vlerat dhe tek parime të përbashkëta për botën në të cilën ne dëshirojmë të jetojmë. Është në fakt e vërtetë që e kam parë strategjinë e Indo-Paqësorit dhe e mbështesim atë plotësisht. Ashtu siç mbështesim plotësisht të gjithë përmbajtjen e kësaj strategjie dhe për këtë arsye, me shumë kërshëri ne presim që të eksplorojmë mundësi të ndryshme se si mund të afrohemi me Japoninë", tha Rama.
Duke kujtuar se vitin e ardhshëm në Tiranë do të mbahet Samiti i NATO-s", Rama ftoi homologen Takaichi të marrë pjesë në këtë samit.
- Takaichi: Shqipëria është një partnere e rëndësishme, me të cilën ndajmë vlera dhe parime të përbashkëta
Kryeministrja Takaichi deklaroi se Shqipëria është një partnere e rëndësishme, me të cilën ndajnë vlera dhe parime të përbashkëta.
"Ne jemi të kënaqur që negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian po përparojnë në mënyrë të qëndrueshme. Japonia, në kuadër të Nismës së Bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor, të propozuar do të vijojë të mbështesë fuqimisht anëtarësimin e Shqipërisë në BE. I shpreh respekt Shqipërisë për kontributin aktiv që jep në stabilitetin rajonal në Ballkanin Perëndimor, një rajon me histori komplekse", tha Takaichi.
Ajo shtoi se falënderon kryeministrin Rama për mbështetjen e Shqipërisë ndaj vizionit për "një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur".
Ndërkohë, në një reagim në rrjetet sociale, Rama e ka konsideruar vizitën dhe pritjen nga homologia si në një moment domethënës për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të partneritetit mes Shqipërisë dhe Japonisë.
"Shqipëria mbështet pa rezervë Strategjinë e Përditësuar të Indo-Paqësorit të Lirë dhe të Hapur, si një vizion që promovon paqen, sigurinë, lirinë e lundrimit, respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe bashkëpunimin mes kombeve në një rajon me rëndësi vendimtare për të ardhmen e botës. Po ashtu, Shqipëria dhe Japonia ndajnë të njëjtin qëndrim të palëkundur në mbështetje të Ukrainës dhe kundër agresionit rus, si një sfidë ndaj rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla", ka shkruar Rama.
Kryeministri Rama shoqërohet në këtë vizitë nga disa ministra të kabinetit qeveritar dhe zyrtarë të tjerë, ndërkohë ka zhvilluar një takim edhe me Ligën Parlamentare të Miqësisë Japoni–Shqipëri.
Sipas Kryeministrisë së Shqipërisë, Rama po zhvillon një vizitë zyrtare në Japoni, nga 21-23 maj, "me synim forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë".






















