| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Mbi gjysma e rasteve me kancer të gjirit në Kosovë zbulohen në faza të hershme
Ministri Vitia në Simpoziumin e Tretë për Kancerin e Gjirit në Prishtinë, të organizuar nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës, tha se mamografia ofrohet falas në institucionet publike shëndetësore.
Mbi gjysma e rasteve me kancer të gjirit në Kosovë zbulohen në faza të hershme
Mbi gjysma e rasteve me kancer të gjirit në Kosovë zbulohen në faza të hershme

Mbi gjysma e grave të identifikuara me kancer të gjirit në Kosovë, janë identifikuar në stadin e parë dhe të dytë, ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një simpozium në kuadër të muajit rozë për ndërgjegjësimin mbi këtë sëmundje.

Duke folur me shifra konkrete, ministri Vitia tha se 53,4 për qind e grave të diagnostikuara me kancer të gjirit në Kosovë janë identifikuar në stadin e parë dhe të dytë, duke theksuar se zbulimi i hershëm rrit mundësitë për sukses të trajtimit dhe mbijetesë.

Vitia në Simpoziumin e Tretë për Kancerin e Gjirit në Prishtinë, të organizuar nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës, tha se mamografia ofrohet falas në institucionet publike shëndetësore, ndërsa këtë vit pritet të shtohen edhe tetë mamografë digjitalë në komuna ku kanë munguar këto pajisje.

“Për herë të parë, Kosova e ka edhe planin e veprimit të skriningut për kancerin e gjirit 2026-2028 dhe mamografia tashmë një kohë po ofrohet falas në të gjitha institucionet tona shëndetësore publike. Këtë vit po shtohen edhe 8 mamografë të tjerë digjitalë në komunat ku kanë munguar, ndërsa përmes mamografit mobil po ofrojmë edhe shërbimin edhe për gratë në komunat ku nuk ka aparatura për momentin. Nga viti 2024, siç e thashë, falë këtij angazhimi e falë punës suaj, 53,4 për qind e grave janë diagnostikuar në stadin e parë dhe të dytë”, ka theksuar Vitia.

Ndërkaq, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi tha se gjatë vitit 2025, në kuadër të aktiviteteve për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, janë realizuar 1.847 mamografi, prej të cilave 463 vetëm gjatë muajit tetor.

Ai bëri të ditur se gjatë këtij viti, deri në ditën e mbajtjes së simpoziumit, janë realizuar 700 mamografi, rreth 150 prej tyre gjatë muajit tetor.



BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë