Delegacioni i Bashkimit Evropian shprehu sot shqetësimin për përshkallëzimin e dhunshëm të protestës në Tiranë, duke inkurajuar uljen e tensioneve dhe duke bërë thirrje për dialog.
Në një reagim zyrtar publikuar në rrjetet sociale, Delegacioni i BE-së thekson se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane që duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore.
Sipas Delegacionit të BE-së në Tiranë pretendimet për përdorim të tepruar të dhunës duhen hetuar me përparësi.
“Ne shprehim shqetësim në lidhje me përshkallëzimin e dhunshëm të protestës në Tiranë. Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane. Ato duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore. Ne jemi në dijeni të pretendimeve për përdorim të tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve. Presim që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe t’i respektojnë të drejtat themelore, siç edhe presim që këto raste të hetohen me përparësi. I inkurajojmë të gjitha palët t’i ulin tensionet. Dialogu konstruktiv ndërmjet të gjithë aktorëve të përfshirë është e vetmja rrugë përpara” thuhet në reagimin për mediet.























