| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Gjermania i kërkon Rusisë të ndalojë sulmet në Detin e Zi që kërcënojnë furnizimet me drithëra
Wadephul paralajmëroi se sulmet e vazhdueshme rrezikojnë të shkaktojnë uri në Afrikë dhe dëmtojnë më tej reputacionin e Moskës në Jugun Global
Gjermania i kërkon Rusisë të ndalojë sulmet në Detin e Zi që kërcënojnë furnizimet me drithëra
Gjermania i kërkon Rusisë të ndalojë sulmet në Detin e Zi që kërcënojnë furnizimet me drithëra

Gjermania i bëri thirrje Rusisë që të ndalojë sulmet në Detin e Zi dhe të pajtohet për një armëpushim që do të mundësonte lundrimin e anijeve civile, duke paralajmëruar se vazhdimi i sulmeve do ta përkeqësonte urinë në Afrikë dhe do të dëmtonte më tej reputacionin e mbetur të Moskës në Jugun Global. 

Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, e bëri këtë thirrje gjatë një konference të përbashkët për media me homologen e tij bullgare, Velisllava Petrova-Çamova, pas bisedimeve në Berlin, të cilat u përqendruan te zhvillimet rajonale dhe siguria në Detin e Zi.

"Nëse Rusia i vazhdon këto sulme, ajo e bën këtë në kurriz të njerëzve në Jugun Global, kryesisht të njerëzve në Afrikë", tha Wadephul. "Këta njerëz po vuajnë si pasojë dhe përballen me kërcënimin e urisë", shtoi ai.

Kryediplomati gjerman tha se sulmet e fundit ndaj anijeve civile, veçanërisht atyre që transportojnë drithëra, rrezikojnë sigurinë ushqimore dhe jetët në rajonet e cenueshme, ndërsa e izolojnë më tej Moskën.

"Rusia duhet të jetë shumë e kujdesshme që të mos humbasë atë që i ka mbetur nga reputacioni në këtë rajon, duke e zgjeruar sërish teatrin e luftës në Detin e Zi", tha Wadephul. "Prandaj, përsëris thirrjen e qartë: Na duhet një armëpushim në Detin e Zi për transportin civil, veçanërisht të drithërave", deklaroi ai.

Zyrtari i lartë gjerman theksoi se shtetet bregdetare të Detit të Zi janë të gatshme të zhvillojnë bisedime me Rusinë dhe Ukrainën për një armëpushim që do të garantonte kalimin e sigurt të anijeve civile dhe eksportin e pandërprerë të drithërave drejt vendeve që varen nga këto furnizime.

"Tani i takon Rusisë të tregojë nëse është e gatshme t'i peshojë marrëdhëniet e saj me vendet e Jugut Global dhe interesat e veta në një mënyrë që mund të shpëtojë jetë", tha ai.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë