| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
KFOR-i e informon Beogradin për uljen e numrit të trupave në Kosovë
“Në vitin 2023, ne treguam se sa të aftë jemi për ta përforcuar misionin, kur është e nevojshme. Në atë kohë, ne e përforcuam KFOR-in me mbi 1.000 trupa për t’u përballur me një mjedis më sfidues”, ka thënë Ulutas.
KFOR-i e informon Beogradin për uljen e numrit të trupave në Kosovë
KFOR-i e informon Beogradin për uljen e numrit të trupave në Kosovë

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ozkan Ulutas, gjatë vizitës së tij në Beograd ka njoftuar për optimizimin e pranisë së trupave të KFOR-it në Kosovë.

Ulutas është takuar në Beograd me shefin e shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviq, ku gjatë takimit e ka njoftuar atë se pas përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë, NATO-ja do ta optimizojë praninë e KFOR-it në Kosovë, duke përshtatur gradualisht numrin e trupave gjatë vitit të ardhshëm.

“Si rezultat i përmirësimit të vazhdueshëm të situatës së sigurisë në Kosovë, NATO-ja do ta optimizojë praninë e KFOR-it në Kosovë dhe do ta përshtatë gradualisht numrin aktual të trupave, gjatë vitit të ardhshëm. Ky optimizim do të zhvillohet gradualisht dhe në përputhje me kushtet në terren dhe mund të përmbyset nëse situata e sigurisë e kërkon një gjë të tillë. Në vitin 2023, ne treguam se sa të aftë jemi për ta përforcuar misionin, kur është e nevojshme. Në atë kohë, ne e përforcuam KFOR-in me mbi 1.000 trupa për t’u përballur me një mjedis më sfidues”, ka thënë Ulutas.

Ai shtoi se KFOR-i do të vazhdojë ta luajë rolin e tij në mbështetje të dialogut Kosovë-Serbi të lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE).

Në qershor të këtij viti, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, njoftoi se NATO-ja po planifikon ta reduktojë numrin e ushtarëve të saj në Kosovë për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë.

Sipas të dhënave të fundit, misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë ka rreth 4.600 pjesëtarë nga 31 shtete, jo të gjitha anëtare të NATO-s.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë