| Albanian
RAJONI
5 minuta leximi
Vijon protesta për Zvërnecin në Shqipëri
Mijëra protestues, kryesisht të rinj, janë mbledhur sërish në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe anulimin e projektit në Zvërnec, si dhe me kërkesa të tjera.
Vijon protesta për Zvërnecin në Shqipëri
Vijon protesta për Zvërnecin në Shqipëri / AA

Në Shqipëri vazhdojnë protestat mbi çështjen e projektit turistik në zonën e Zvërnecit në Qarkun e Vlorës, kundër ndërtimeve në zona të mbrojtura, dhe, sipas protestuesve, kundër qeverisjes në vend, duke hyrë në ditën e 13-të.

Mijëra protestues, kryesisht të rinj, janë mbledhur sërish në Tiranë, duke e kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe anulimin e projektit në Zvërnec, si dhe me kërkesa të tjera.

Në ditët e fundit në vend ka pasur pretendime se projekti lidhet me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump, duke shkaktuar reagime dhe protesta në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.

Protestuesit janë mbledhur fillimisht në Sheshin “Skënderbeu”, për të vijuar drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, ku mbanin në duar flamuj kombëtarë dhe pankarta kundër qeverisë Rama.

Për Anadolu, disa nga protestuesit janë shprehur se kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe protestojnë edhe për ta ndërruar sistemin qeverisës në vend.

Qytetari në protestë: Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama

Denis Qyra, 30 vjeç, tregon se ka dalë në protestë pothuajse çdo ditë dhe, sipas tij, e gjithë turma e kërkon dorëheqjen e kryeministrit Rama.

"Arsyeja ishte jo vetëm çfarë ndodhi në Zvërnec, por edhe si u trajtua. Besoj e pamë personin që u tërhoq zvarrë në Zvërnec. Ishte një lloj mishërimi i një imazhi që kemi pasur në Shqipëri, siç ka qenë fakti që ky vend udhëhiqet nga struktura goxha të korruptuara, që e sundojnë këtë vend. Një nga arsyet e tjera pse iu bashkova (protestës) ishte edhe fakti që ishte diçka jopartiake. Duket që atë që thotë turma është që sistemi që kemi tani për tani ka nevojë për një ndryshim rrënjësor që të mos ketë më korrupsion dhe mungesë transparence qeveria. Gjithë turma e kërkon këtë gjë (dorëheqjen e kryeministrit Rama)", tha ai.

"Nuk dëshirojmë që Shqipëria të dalë në shitje"

Një nga protestueset, Ami, e cila nuk dëshiroi ta tregonte mbiemrin, u shpreh se është në protestë për Shqipërinë dhe për të gjithë të rinjtë që kanë dalë për të protestuar, që sipas saj, kërkojnë një jetë më të mirë dhe më të sigurt.

"Nuk dëshirojmë që Shqipëria të dalë në shitje, Shqipëria nuk është për t'u shitur, aq më tepër pjesët historike siç është ishulli i Sazanit, apo Zvërneci, lagunat. Jam absolutisht kundër mënyrës së qeverisjes së tij (kryeministrit Rama). Si kryeministër, duhej të mendohej 100 herë (për çështjen e Sazanit dhe Zvërnecit), aq më tepër kur bëhet fjalë për vendin, për Shqipërinë", tha ajo.

Duke theksuar se kërkon që të ndërrohet komplet sistemi dhe qeveria, ajo tha: "Rama duhet të largohet, gjithashtu edhe opozita e shitur e dështuar nga Sali Berisha. Shqipëria ka nevojë për një frymë të re, për qeveri të re, për njerëz të rinj në poste", u shpreh e reja protestuese.

Një tjetër protestues, Sulejman Kupi, 34-vjeç, tha se ka dalë për të protestuar për shumë arsye. "Më shumë se gjysmën e miqve i kam jashtë shtetit. Vështirësi në jetesë, më shumë se gjysmën e rrogës po na e merr qiraja. Vështirësi të gjesh punë në profesion. Gjëja e parë që do të duhet të ndryshojë është meritokracia. Po i marrin vendet e punës vetëm ushtarët e vet (të qeverisë), vetëm servilët e vet dhe nuk ka as konkurrencë, as drejtësi dhe asgjë. Gjëja e parë që do të doja të ndryshojë është që të ikë kjo klasë politike, duke filluar nga Rama dhe Sali (Berisha). Kanë bërë masakër ndaj shqiptarëve për më shumë se 35 vjet", tha Kupi.

Të iniciuara nga aktivistë dhe të mbështetura nga qytetarët, protesta janë zgjeruar në ditët e fundit edhe mbi çështje të tjera, si shfuqizimin kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë, shfuqizimin ligjit të njohur si "Paketa e Maleve" dhe anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.

Në lidhje me këtë çështje, në ditët e fundit janë organizuar protesta të ngjashme edhe në qytete të tjera të vendit, ndërkohë janë mbajtur protesta edhe nga shqiptarët që jetojnë në disa vende të Evropës.

Gjatë një proteste më 30 maj në zonën e Zvërnecit u shënuan incidente, ku sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, disa roje të një kompanie private të sigurisë tërhoqën zvarrë një qytetar, duke shkaktuar më pas fillimin e protestave në Tiranë.

Në lidhje me çështjen, kryeministri Rama ka deklaruar se projekti në Zvërnec po ndjek të gjitha procedurat ligjore dhe mjedisore, duke shtuar se deri më tani nuk ka pasur një projekt përfundimtar apo studim të plotë të ndikimit në mjedis.

Gjithashtu, në media është raportuar se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) ka filluar hetimet për çështjen e Zvërnecit, ndërsa prokuroria ende nuk ka publikuar një njoftim zyrtar.

Ndërkohë, gjatë kohës që zhvillohej protesta sot në Tiranë, kryeministri Rama zhvilloi një takim me përfaqësues të partisë që ai drejton, Partisë Socialiste dhe mbështetës të saj në Tiranë në kuadër të aktiviteteve për 35-vjetriorit të themelimit të PS-së. Ndërkohë, u raportua për disa incidente të vogla dhe përplasje mes mbështetësve të PS-së dhe disa protestuesve.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë