Kosova e ka përmbyllur pjesëmarrjen në Lojërat Mesdhetare "Taranto 2026" me gjithsej nëntë medalje, prej tyre dy të arta, tri të argjendta dhe katër të bronzta.
Delegacioni kosovar në këtë edicion të Lojërave Mesdhetare ishte më i madhi deri më tani, me 163 sportistë, prej tyre 87 meshkuj dhe 76 femra, të cilët garuan në 21 sporte.
Donjeta Sadiku në boks dhe Islam Selmani në karate u shpërblyen me medalje të arta, duke u ngjitur në shkallën më të lartë të podiumit.
Xhudoja ishte sporti që i solli më së shumti medalje Kosovës në këtë edicion. Gjithsej pesë medalje u fituan nga xhudistët kosovarë.
Dy medalje të argjendta për Kosovën erdhën edhe nga peshëngritja, ku Kianoush Rostami fitoi medalje në dy stilet e garimit, shkëputje dhe shtytje.
Në Lojërat Mesdhetare të këtij viti morën pjesë 26 shtete, ndërsa në gara u përfshinë 3.803 sportistë, 2.189 prej tyre meshkuj dhe 1.614 femra. Garat u zhvilluan në 33 disiplina sportive dhe në 28 ambiente garuese.
Italia kishte delegacionin më të madh, me 497 sportistë, ndërsa pas saj ishte Türkiye me 335 garues.
Prishtina do të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare "Prishtina 2030", në një prej ngjarjeve më të mëdha sportive që do të organizohen ndonjëherë në Kosovë.























