Autoritetet irakiane kanë sekuestruar më shumë se 11 milionë dollarë para të gatshme, si dhe shufra e stoli ari, në dy raste të veçanta korrupsioni, njoftoi të mërkurën Këshilli i Lartë Gjyqësor i vendit.
Këshilli bëri të ditur se autoritetet sekuestruan 1,14 miliard dinarë irakianë, rreth 872 mijë dollarë, në një rast mashtrimi financiar që lidhej me transferimin e paligjshëm të fondeve jashtë vendit. Procedurat ligjore ndaj kompanive të përfshira në këtë rast janë ende në vazhdim.
Në një rast tjetër, hetuesit zbuluan prova të reja në kuadër të një hetimi për korrupsion ndaj ish-zëvendësministrit të arrestuar të Naftës, Adnan Al-Jumaili.
Sipas njoftimit, hetimi çoi në sekuestrimin e 13 miliardë dinarëve irakianë, rreth 9,9 milionë dollarë, si dhe të 400 mijë dollarëve të tjerë, të fshehur në disa lokacione në provincën Salahuddin.
Autoritetet konfiskuan gjithashtu 40 shufra ari me peshë nga një kilogram secila dhe pesë kilogramë të tjerë stoli ari. Këshilli tha se përpjekjet po vazhdojnë për sekuestrimin e të ardhurave të tjera të përfituara nga veprimtaria kriminale dhe identifikimin e të dyshuarve të tjerë.
Sekuestrimet vijnë në një kohë kur Iraku po intensifikon luftën kundër korrupsionit financiar dhe administrativ. Gjatë javëve të fundit, autoritetet kanë arrestuar dhjetëra të dyshuar, përfshirë ligjvënës dhe zyrtarë të lartë, pasi disave prej tyre iu hoq imuniteti parlamentar.
Këshilli bëri të ditur se një pjesë e hetimeve në vazhdim mbështetet në deklaratat e Al-Jumailit, i cili u shkarkua nga detyra më 2 qershor dhe më pas u arrestua nën dyshimet për përvetësim të fondeve publike dhe dhënie kontratash në kundërshtim me ligjin.


















