| Albanian
BOTA
3 minuta leximi
Presidenti libanez kërkon ndalimin e sulmeve izraelite: Zgjidhja ushtarake nuk sjell stabilitet
Aoun bëri thirrje për “mbështetje më të madhe evropiane” për ushtrinë libaneze dhe institucionet e sigurisë, duke e cilësuar një ndihmë të tillë si “investim të drejtpërdrejtë në stabilitetin e Libanit dhe të rajonit”.
Presidenti libanez kërkon ndalimin e sulmeve izraelite: Zgjidhja ushtarake nuk sjell stabilitet
Presidenti libanez kërkon ndalimin e sulmeve izraelite: Zgjidhja ushtarake nuk sjell stabilitet

Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, ka bërë thirrje për ndalimin e sulmeve izraelite ndaj Libanit dhe ka rikonfirmuar angazhimin e vendit të tij për zgjidhje diplomatike përmes negociatave. 

“Stabiliteti i qëndrueshëm nuk mund të arrihet vetëm përmes forcës ushtarake”, tha Aoun gjatë një takimi me ministren gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Reem Alabali-Radovan dhe delegacionin e saj në pallatin presidencial.

Sipas një deklarate të zyrës së tij për media, Aoun bëri thirrje për “mbështetje më të madhe evropiane” për ushtrinë libaneze dhe institucionet e sigurisë, duke e cilësuar një ndihmë të tillë si “një investim të drejtpërdrejtë në stabilitetin e Libanit dhe të rajonit”.

Duke folur për Libanin jugor, Aoun theksoi nevojën për ndalimin e sulmeve izraelite, duke njoftuar se Libani ka ngritur katër çështje kryesore, përkatësisht armëpushimin, tërheqjen izraelite, përcaktimin e kufirit dhe çështjen e të burgosurve, çështje për të cilat, siç tha ai, deri më tani “nuk është arritur përparimi i nevojshëm”.

Më 26 qershor, Libani dhe Izraeli nënshkruan një marrëveshje kornizë të mbështetur nga SHBA-ja, e cila parashikon tërheqjen graduale të Izraelit nga territori libanez, dislokimin e ushtrisë libaneze dhe çarmatimin e Hezbollahut.

Pavarësisht marrëveshjes, Izraeli ka vazhduar sulmet në jug të Libanit.

- Reformat dhe rindërtimi

Sa i përket ekonomisë, Aoun tha se Libani po vazhdon të punojë me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) për përfundimin e reformave. Ai shprehu shpresën se Gjermania do të kontribuojë në rindërtim brenda një kornize të udhëhequr nga Banka Botërore.

Ai bëri thirrje për kalimin nga ndihma emergjente drejt një partneriteti të qëndrueshëm për zhvillim dhe kërkoi më shumë investime nga sektori privat gjerman. Libani po synon të arrijë marrëveshje për kredi me FMN-në, e cila kërkon reforma bankare, ekonomike dhe financiare. Bisedimet ende nuk kanë përfunduar, pavarësisht një sërë masash të ndërmarra nga autoritetet libaneze.

Ministrja gjermane Alabali-Radovan tha se vizita e saj zhvillohet në një periudhë të vështirë dhe rikonfirmoi mbështetjen e Gjermanisë për reformat, institucionet shtetërore efektive dhe përmirësimin e kushteve për grupet më të cenueshme.

Duke folur për të ardhmen e Forcës së Përkohshme të OKB-së në Liban (UNIFIL), ajo tha se “nuk duhet të ketë vakum”, duke theksuar se vendimet për të ardhmen e forcës janë në kompetencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ajo rikonfirmoi gatishmërinë e Gjermanisë për ta mbështetur ushtrinë libaneze.

UNIFIL është e dislokuar në jug të Libanit që nga viti 1978, në bazë të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të monitoruar ndërprerjen e armiqësive dhe për të ndihmuar në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit.

Mandati i UNIFIL-it pritet të përfundojë në fund të vitit 2026. Libani ka bërë thirrje për ruajtjen e pranisë ndërkombëtare në jug të vendit, duke e konsideruar atë një element të rëndësishëm për stabilitetin.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë