Türkiye ka rikonfirmuar angazhimin e saj ndaj multilateralizmit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar për klimën, ndërsa po përgatitet të presë Konferencën e 31-të të OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP31), e cila do të mbahet në Antalya nga 9 deri më 20 nëntor, përfshirë edhe një samit të liderëve.
Përfaqësuesi i përhershëm i Türkiyes në OKB, ambasadori Ahmet Yildiz, paraqiti prioritetet e vendit në një aktivitet të posaçëm të organizuar nga presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në prag të COP31-tës, me titull “Një planet i përshtatshëm për të ardhmen: Rikthimi i besimit përmes veprimit klimatik”.
“Në një kohë të pasigurive në rritje gjeopolitike dhe të shtimit të skepticizmit ndaj çështjeve klimatike, Turqia ka marrë presidencën e COP31-tës me një angazhim të fortë ndaj multilateralizmit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar për klimën”, tha Yildiz.
Ai theksoi se teksa komuniteti ndërkombëtar hyn në dekadën e dytë të Marrëveshjes së Parisit, përpjekjet duhet të përqendrohen gjithnjë e më shumë në shndërrimin e angazhimeve ekzistuese në masa praktike dhe rezultate të matshme.
Yildiz tha se ambicia e Türkiyes është që zotimet ekzistuese për klimën t’i shndërrojë në “veprime konkrete dhe rezultate të prekshme”.
Ai bëri të ditur se përgatitjet për konferencën në Antalya po intensifikohen, duke theksuar se Turqia është e përkushtuar që presidencën e saj ta ushtrojë në mënyrë “transparente, konsultative dhe të parashikueshme”.
“Ne do të lehtësojmë dialogun dhe do të punojmë për rezultate të balancuara dhe të bazuara në konsensus. Në fund të fundit, suksesi i COP31 do të jetë rezultat i përpjekjeve tona të përbashkëta”, shtoi ai.
Yildiz u bëri thirrje vendeve që të sigurojnë pjesëmarrje në nivel të lartë në samit, duke theksuar se angazhimi i liderëve kombëtarë do të jetë i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe krijimin e një vrulli më të madh për veprimet klimatike.






















