| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Gjykata Kushtetuese e Kosovës: Presidenti të zgjidhet deri më 6 tetor
Gjykata ka konstatuar se deputetët e Kuvendit duhet që sa më parë ta zgjedhin edhe nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, PDK-së, në pajtim me Kushtetutën.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës: Presidenti të zgjidhet deri më 6 tetor
Gjykata Kushtetuese e Kosovës: Presidenti të zgjidhet deri më 6 tetor/ AA

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026, derisa ka konfirmuar se Qeveria dhe Kuvendi janë formuar në përputhje me Kushtetutën.

Vendimi është marrë të mërkurën, më 23 shtator, lidhur me kërkesat e bashkuara të parashtruara nga deputeti opozitar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, dhe deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës.

Gjykata ka konstatuar gjithashtu se Kuvendi i Kosovës është konstituuar pas kalimit të afatit 30-ditor të përcaktuar me Kushtetutë.

Sipas vendimit, kalimi i këtij afati për konstituimin e Kuvendit ka pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, në rastin kur posti i Presidentit është vakant, si dhe për zgjedhjen e Qeverisë.

Në aktgjykim, Gjykata ka konstatuar se deputetët e Kuvendit duhet që sa më parë të zgjedhin edhe nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, PDK-së, në pajtim me Kushtetutën.

Më 13 shtator, në mungesë të deputetëve të PDK-së dhe Aleancës, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë votuan për konstituimin e Kuvendit, por pa zgjedhur nënkryetarin nga radhët e PDK-së.

Më vonë gjatë së njëjtës ditë, Kuvendi votoi edhe Qeverinë e re, të udhëhequr nga Albin Kurti.