| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Türkiye dhe Uzbekistani diskutojnë çështjet rajonale e globale, nënshkruhen pesë marrëveshje
Presidentët e dy vendeve diskutuan marrëdhëniet dypalëshe dhe hapat për thellimin e bashkëpunimit në fushën e tregtisë, investimeve, minierave, transportit dhe mbrojtjes.
Türkiye dhe Uzbekistani diskutojnë çështjet rajonale e globale, nënshkruhen pesë marrëveshje
Türkiye dhe Uzbekistani diskutojnë çështjet rajonale e globale, nënshkruhen pesë marrëveshje/ AA

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan u takua të enjten me presidentin e Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev, në Kompleksin Presidencial në Ankara, ku të dy liderët diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale e globale, si dhe morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të pesë marrëveshjeve, njoftoi Drejtoria e Komunikimeve.

Siç njofton Drejtoria e Komunikimeve e Türkiyes, Erdoğan tha se Türkiye  dhe Uzbekistani do të vazhdojnë të ndërmarrin hapa për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të tyre, të cilat kanë arritur nivelin e partneritetit strategjik të nivelit të lartë, në fusha të ndryshme, veçanërisht në tregti, investime, miniera, transport dhe industrinë e mbrojtjes.

Erdoğn tha se beson që Organizata e Shteteve Turkike (OST) do të vazhdojë të forcohet përmes nismave të reja të bashkëpunimit. Ai shprehu shpresën se Samiti aktual i liderëve të OST-së në Ankara, ku marrin pjesë ai dhe Mirziyoyev, do të shërbejë si një moment i rëndësishëm në këtë proces.

Erdoğan gjithashtu e ftoi Mirziyoyevin në Samitin e liderëve të Konferencës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike COP31, i cili pritet të mbahet më 11 dhe 12 nëntor në qytetin jugor turk Antalya.

Pas takimit, liderët morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të pesë marrëveshjeve dhe protokolleve ndërmjet dy vendeve.

– Nënshkruhen pesë marrëveshje

Sipas Presidencës turke, marrëveshjet dhe protokollet përfshijnë tregtinë, sigurimet shoqërore, transportin, komunitetin e biznesit dhe bashkëpunimin dypalësh.

Marrëveshja e parë ishte një protokoll shtesë që ndryshon protokollin e 29 marsit 2022 për shkëmbimin e informacionit lidhur me automjetet dhe mallrat që kalojnë kufijtë e të dy vendeve.

E dyta ishte një protokoll që ndryshon marrëveshjen e tregtisë preferenciale ndërmjet Türkiyes dhe Uzbekistanit. E treta ishte marrëveshje për sigurimet shoqërore ndërmjet qeverive të Türkiyes dhe Uzbekistanit.

Marrëveshja e katërt ishte një rregullim administrativ për zbatimin e marrëveshjes për sigurimet shoqërore ndërmjet dy qeverive.

Marrëveshja e pestë ka të bëjë me krijimin e një Këshilli të Nivelit të Lartë për Zhvillimin e Komunitetit të Biznesit ndërmjet qeverive të Türkiyes  dhe Uzbekistanit.