Dy shtetas bjellorusë janë arrestuar në Gjermani nën dyshimin për kryerjen e akteve të sabotimit në emër të Rusisë, përfshirë një sulm me zjarrvënie në Rumani, raportoi të mërkurën revista Der Spiegel.
Prokurorët dyshojnë se të arrestuarit kryen një sulm me zjarrvënie ndaj një kompanie të industrisë së mbrojtjes në një park industrial në Brasov të Rumanisë, më 14 shtator, sipas revistës gjermane.
Burime të sigurisë të cituara nga Der Spiegel kanë thënë se dy burrat kishin planifikuar gjithashtu akte sabotimi në Gjermani, përfshirë zjarrvënie pranë një linje hekurudhore dhe një linje të transmetimit të energjisë elektrike në rajonin e Nurembergut.
Shërbimi rumun i inteligjencës, i njohur si SRI, ka përcaktuar se të dyshuarit i përkisnin një rrjeti spiunazhi dhe sabotimi të kontrolluar nga Moska, raportoi revista.
Një gjykatë në Bukuresht ka lëshuar urdhërarreste evropiane për dy burrat, të cilët janë ndaluar në Gjermani prej disa javësh.
Zyra Qendrore e Bavarisë për Luftimin e Ekstremizmit dhe Terrorizmit po vazhdon hetimet për aktivitetet e dyshuara të sabotimit.
Rasti vjen pas një serie operacionesh të dyshuara sabotimi në gjithë Evropën, të cilat autoritetet ia kanë atribuar Rusisë.
Një nga sulmet e dyshuara më serioze në Gjermani ndodhi më 4 gusht në aeroportin e Lajpcigut, ku një avion ukrainas transporti i tipit Antonov u vu në shënjestër të një droni.
Qeveria gjermane fajësoi publikisht Moskën për sulmin me dron.
Rusia ka mohuar vazhdimisht përfshirjen në operacione sabotimi dhe sulme hibride, duke i akuzuar qeveritë perëndimore se i përdorin këto pretendime për të justifikuar rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën.























