| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Fillon procesi i votimit me postë për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit në Kosovë
Procesi do të zhvillohet nga 21 maji deri më 6 qershor, derisa autoritetet kanë bërë thirrje që votuesit të respektojnë procedurat dhe afatet për dërgimin e fletëvotimeve.
Fillon procesi i votimit me postë për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit në Kosovë
KQZ-ja merr vendim të rinumërohen 914 vendvotime nga zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë / TRT Balkan

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur sot me procesin e votimit me postë për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit 2026, që ua mundëson shtetasve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit të ushtrojnë të drejtën e votës së tyre.

Procesi do të zhvillohet nga 21 maji deri më 6 qershor, derisa autoritetet kanë bërë thirrje që votuesit të respektojnë procedurat dhe afatet për dërgimin e fletëvotimeve.

Në këto zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare pritet të votojnë rreth 105 mijë votues nga jashtë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, ku sot shërbimi votues i këtij institucioni ishte duke bërë gati pakot e fundit me fletëvotime të cilat u janë dërguar votuesve të regjistruar, ka njoftuar se çdo pako e votimit është individuale dhe secila prej tyre përmban: Udhëzuesin për procedurën e votimit; fletëvotimin; zarfin e fshehtësisë; dhe zarfin kthyes.

Sipas KQZ-së, në çdo dërgesë postare operatori ekonomik ka vendosur nga një numër të veçantë gjurmimi dhe u është dërguar votuesve të regjistruar, të cilët mund të shohin vazhdimisht vendndodhjen e pakos me fletëvotim.

KQZ-ja u ka bërë thirrje votuesve të mos presin ditën e fundit për ta dërguar pakon e tyre me fletëvotim, në mënyrë që të arrijë me kohë në kutinë postare dhe më pas të tërhiqet për t’u sjellë në Kosovë për numërim.

Për votimin me postë jashtë Kosovës, KQZ-ja ka funksionalizuar kutitë postare në 22 shtete, si: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Mali të Zi, Maqedoni e Veriut, Mbretëri e Bashkuar, Norvegji, ShBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Türkiye dhe Zvicër. Po ashtu, është funksionale edhe kutia e përhershme postare KQZ-së në Kosovë.

Vota e diasporës ka rëndësi të madhe në rezultatin final të partive politike në vend.