| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Rutte: KFOR-i do të ketë mes 3.000 dhe 3.500 trupa në Kosovë
"Kjo, mendoj unë, reflekton situatën e përmirësuar të sigurisë", ka thënë Rutte duke përsëritur se misioni i KFOR-it do të mbetet i fokusuar në detyrën bazë që ka.
Rutte: KFOR-i do të ketë mes 3.000 dhe 3.500 trupa në Kosovë
Rutte: KFOR-i do të ketë mes 3.000 dhe 3.500 trupa në Kosovë/ Foto: AA

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në një konferencë për medie e ka quajtur lajm të mirë faktin se NATO-ja do ta reduktojë praninë në Kosovë si pasojë e përmirësimit të situatës së sigurisë në vend.

Rute duke folur para gazetarëve në Bruksel në prag të takimit të ministrave të Mbrojtjes, tha se situata e sigurisë në Kosovë vazhdoi të përmirësohej nga viti i kaluar.

"Kur e shikojmë situatën e sigurisë në Kosovë, ajo që shohim është se në përgjithësi vitin e kaluar ajo vazhdoi të përmirësohet. Prandaj është lajm i mirë për Kosovën. Dhe kjo është arsyeja pse NATO-ja në janar ndërpreu dislokimin e forcave rezervë në Kosovë. Dhe kjo u bë pas dy vjetësh rotacioni të vazhdueshëm", tha Rutte.

Shefi i NATO-s tha se vazhdimisht po shikohet se si të rregullohet më së miri prania e KFOR-it në Kosovë.

"Duke shikuar përpara në këtë moment shohim se KFOR-i ka një forcë prej rreth 4.700 trupash. Ajo që do të bëjmë është që të kthehemi në praninë që kishim para vitit 2023. Natyrisht kjo do të varet nga rrethanat dhe do të shohim se KFOR-i do të ketë mes 3.000 dhe 3.500 trupa. Kjo, mendoj unë, reflekton situatën e përmirësuar të sigurisë", ka thënë Rutte duke përsëritur se misioni i KFOR-it do të mbetet i fokusuar në detyrën bazë që ka.

Aktualisht, KFOR-i përbëhet nga rreth 4.700 trupa nga 31 vende të ndryshme.

Javën e kaluar, NATO-ja njoftoi se do ta zvogëlojë gradualisht praninë e saj në Kosovë gjatë vitit të ardhshëm, për shkak të, siç tha, përmirësimit të situatës së sigurisë.