Në margjinat e Samitit të liderëve të Procesit të Berlinit, që po mbahet në Mal të Zi, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, është takuar me ministrin francez për Evropën, Benjamin Haddad.
Sipas një njoftimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, në fokus të takimit ishin bashkëpunimi dypalësh, perspektiva evropiane e vendit dhe mbështetja e Francës për rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian.
Ministri Mucunski ka theksuar përkushtimin e palëkundur të qeverisë së vendit të tij ndaj proceseve reformuese dhe anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, si dhe nevojën për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian.
Gjatë takimit u shkëmbyen mendime edhe për zhvillimet aktuale rajonale dhe rolin e Maqedonisë së Veriut si partner i përgjegjshëm dhe konstruktiv në rajon dhe më gjerë në Evropë.





















