| Albanian
BOTA
1 minuta leximi
Belgjikë, studentët bllokojnë kampusin e një universiteti kundër rritjes së tarifave të studimit
Bllokada nisi në mëngjes me thirrjen e kolektivit “Kundërsulmi i Gjeneratës Z”, i cili bashkon studentë, shoqata studentore, studiues, mësimdhënës dhe punonjës të universitetit.
Belgjikë, studentët bllokojnë kampusin e një universiteti kundër rritjes së tarifave të studimit
Belgjikë, studentët bllokojnë kampusin e një universiteti kundër rritjes së tarifave të studimit/ AA

Studentët bllokuan sot pjesërisht kampusin Solbosch të Universitetit të Lirë të Brukselit (ULB), në shenjë proteste kundër rritjes së tarifave të studimit, raportoi gazeta "Le Soir".

Bllokada nisi në mëngjes me thirrjen e kolektivit “Kundërsulmi i Gjeneratës Z”, i cili bashkon studentë, shoqata studentore, studiues, mësimdhënës dhe punonjës të universitetit. Qasja në kampus mbeti e mundur për studentët, megjithëse disa ndërtesa ishin të bllokuara.

Kolektivi protestonte kundër rritjes me 43 për qind të tarifave vjetore të studimit. Sipas të dhënave të Federatës Valoni-Bruksel, të cituara nga "Le Soir", kjo rritje prek 58 për qind të studentëve të arsimit të lartë.

Grupi kundërshtoi reformën e dekretit për organizimin e sistemit arsimor, uljen e financimit për arsimin parauniversitar, rritjen e kostove të transportit dhe ndërhyrjet e policisë kundër të rinjve që marrin pjesë në protesta.

Kolektivi i kishte bërë thirrje ULB-së që sot të anulonte mësimin, por kërkesa e tij u refuzua. Ai i kërkoi universitetit edhe t'i japë fund kontraktimit të shërbimeve te kompani të jashtme, veçanërisht shërbimeve të pastrimit.