Para fillimit të Samitit të Procesit të Berlinit, në Shën Stefan të Malit të Zi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është koha që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).
Gjatë fjalës së tij paraprake, Kurti tha se Kosova ka tashmë funksionalitet demokratik, stabilitet institucional dhe rritje ekonomike.
“Tani është koha që vendi ynë të marrë statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Për këtë arsye, sot dhe çdo ditë do t’u bëjë thirrje të gjithë liderëve të BE-së për të kërkuar një opinion nga Komisioni Evropian lidhur me këtë çështje”, theksoi Kurti.
Ai tha se në të njëjtën kohë, shpreson që të mund të rikthehen zotimet e Samitit të Londrës të vitit 2018 lidhur me drejtësinë për krimet e kryera gjatë luftës dhe zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
“Në vendin tim janë mbi 1.500 persona të zhdukur dhe së fundmi, në komunën veriore të Zubin Potokut, kemi zhvarrosur 23 trupa të shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe në prill të vitit 1999”, theksoi Kurti.
Ai tha se është optimist për periudhën përpara që e pret Kosovën, sepse vendi bashkëpunon dhe është i angazhuar vazhdimisht, duke u mbështetur në vlerat e Bashkimit Evropian, duke “ia mbyllur derën Kremlinit” dhe, njëkohësisht, duke u përqendruar te të rinjtë, punësimin dhe sundimin e ligjit.





















