Autoritetet spanjolle identifikuan të hënën gjashtë nga 13 personat që humbën jetën në zjarrin vdekjeprurës të javës së kaluar në rajonin jugor të Andaluzisë, mes tyre shtetas të Francës, Mbretërisë së Bashkuar, Belgjikës, ShBA-së dhe Spanjës, raportoi transmetuesi publik RTVE.
Sipas burimeve gjyqësore, viktimat e identifikuara deri tani janë dy shtetas britanikë, një shtetas francez, një shtetas belg, një shtetas amerikan dhe një shtetas spanjoll.
Mes viktimave të identifikuara janë tre burra dhe tre gra. Burri spanjoll dhe gruaja amerikane ishin bashkëshortë.
Një grua britanike 93-vjeçare vdiq në spital të dielën, duke e çuar në 13 numrin e përgjithshëm të viktimave nga zjarri.
Autoritetet thanë se viktimat e tjera ende nuk janë identifikuar për shkak të gjendjes së trupave, ndërsa analiza e ADN-së mbetet e vetmja metodë e mundshme për identifikimin e tyre.
Burimet gjyqësore bënë të ditur se procesi i identifikimit të viktimave të mbetura mund të përfundojë së shpejti, pasi të merren mostrat biologjike të siguruara nga familjarët.
Autoritetet konsullore të Belgjikës, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar ndihmuan në sigurimin e profileve gjenetike.
Zjarri, i cili shpërtheu të enjten në komunën Los Gallardos, në provincën e Almerías, ka përfshirë rreth 7.000 hektarë tokë.
Autoritetet kanë bërë të ditur se zjarri është vënë nën kontroll, ndërsa hetimet për përcaktimin e shkakut të tij vazhdojnë.





















