| Albanian
POLITIKË
4 minuta leximi
Ende pa marrëveshje: Zv/presidenti i ShBA-së thotë se Irani zgjodhi të “mos pranojë kushtet tona”
“Lajmi i keq është se nuk kemi arritur marrëveshje, dhe mendoj se kjo është më shumë lajm i keq për Iranin sesa për ShBA-në”, tha zëvendëspresidenti i ShBA-së pas përfundimit të bisedimeve.
Ende pa marrëveshje: Zv/presidenti i ShBA-së thotë se Irani zgjodhi të “mos pranojë kushtet tona”
Ende pa marrëveshje: Zv/presidenti i ShBA-së thotë se Irani zgjodhi të “mos pranojë kushtet tona” / Reuters
18 orë më parë

Zëvendëspresidenti i ShBA-së, JD Vance, tha të dielën se Uashingtoni dhe Teherani ende nuk kanë arritur një marrëveshje, pasi bisedimet me rëndësi të lartë mes ShBA-së dhe Iranit përfunduan pa një përparim në Islamabad.

“Kemi qenë në këto bisedime për 21 orë dhe kemi zhvilluar një sërë diskutimesh thelbësore, kjo është pjesa e mirë. Lajmi i keq është se nuk kemi arritur marrëveshje, dhe mendoj se kjo është më shumë lajm i keq për Iranin sesa për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u tha Vance gazetarëve amerikanë në një hotel ku delegacionet po zhvillonin bisedimet që nga e shtuna.

“Ata kanë zgjedhur të mos pranojnë kushtet tona”, shtoi ai.

Ai tha se Uashingtoni nuk ka parë një angazhim “afatgjatë” nga Irani për të hequr dorë nga zhvillimi i armëve bërthamore.

“Pyetja e thjeshtë është: a shohim një angazhim themelor nga ana e iranianëve për të mos zhvilluar armë bërthamore, jo vetëm tani, jo vetëm pas dy vitesh, por në afat të gjatë. Ne ende nuk e kemi parë këtë”, tha Vance.

Ai e mbylli papritur konferencën e shkurtër për shtyp dhe u largua, duke injoruar pyetjet mbi Ngushticën e Hormuzit dhe nëse dështimi i negociatave do të thonte përkthehej si rikthim në luftë.

Media shtetërore iraniane IRIB raportoi të shtunën vonë se Irani dhe ShBA-ja kishin rënë dakord të zhvillonin një raund tjetër bisedimesh të dielën në Pakistan, pas një propozimi nga ndërmjetësit pakistanezë.

“Ne po largohemi nga këtu me një propozim shumë të thjeshtë, një mënyrë mirëkuptimi që është oferta jonë përfundimtare dhe më e mira. Do të shohim nëse iranianët do ta pranojnë”, tha Vance.

Ai falënderoi kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif, dhe shefin e ushtrisë, gjeneralin Asim Munir, për ndërmjetësimin dhe përpjekjet për “të ngushtuar hendekun” mes Uashingtonit dhe Teheranit, duke shtuar se “çdo mangësi në negociata nuk ishte për shkak të pakistanezëve”.

I pyetur se çfarë refuzoi pala iraniane, ai tha:
“Nuk do të hyj në të gjitha detajet sepse nuk dua të negocioj në publik pasi kemi negociuar për 21 orë në privat. Por fakti i thjeshtë është se duhet të shohim një angazhim të qartë që ata nuk do të kërkojnë armë bërthamore dhe as mjetet që do t’u mundësonin ta arrijnë shpejt një të tillë”.

I pyetur nëse asetet e ngrira iraniane u diskutuan gjatë negociatave, Vance shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë:
“Diskutuam për të gjitha këto çështje dhe edhe për shumë të tjera. Por nuk arritëm në një pikë ku iranianët ishin të gatshëm të pranonin kushtet tona”.

Vance u largua nga Islamabadi pas konferencës për shtyp. Më herët, një burim pakistanez i tha Anadolus se ai kishte zgjatur qëndrimin për të marrë pjesë në bisedimet që zgjatën edhe në ditën e dytë.

Ndërkaq, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei, tha se janë shkëmbyer “mesazhe dhe tekste të shumta” mes dy palëve gjatë një “dite të gjatë dhe intensive”.

“Në 24 orët e fundit, u zhvilluan diskutime mbi dimensione të ndryshme të çështjeve kryesore të negociatave, përfshirë Ngushticën e Hormuzit, çështjen bërthamore, reparacionet e luftës, heqjen e sanksioneve dhe përfundimin e plotë të luftës kundër Iranit dhe në rajon”, shkroi ai në platformën X.

“Suksesi i këtij procesi diplomatik varet nga serioziteti dhe vullneti i mirë i palës tjetër, nga shmangia e kërkesave të tepruara dhe të paligjshme, si dhe nga pranimi i të drejtave dhe interesave legjitime të Iranit”.

Baqaei shprehu gjithashtu mirënjohje ndaj “qeverisë dhe popullit bujar të Republikës Islamike të Pakistanit për mikpritjen dhe përpjekjet e tyre për të çuar përpara këtë proces”.

Pakistani i priti bisedimet si pjesë e përpjekjeve për t’i dhënë fund konfliktit më të gjerë rajonal, në kuadër të një armëpushimi të brishtë dyjavor të ndërmjetësuar më herët këtë javë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë