Kina u bëri thirrje Rusisë dhe Ukrainës të tregojnë përmbajtje dhe të ulin tensionet, për të krijuar kushte për një zgjidhje politike të konfliktit.
“Dialogu dhe negociatat janë e vetmja zgjidhje e zbatueshme për krizën në Ukrainë”, u tha gazetarëve në Pekin zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Guo Jiakun.
Deklaratat e Pekinit erdhën pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, paralajmëroi se hapësira ajrore ruse “po bëhet plotësisht e pasigurt”.
“Ukraina nuk kërcënon aviacionin civil si të tillë, asnjë avion të vetëm civil. Thjesht do të ketë dronë në qiellin e Rusisë në një shkallë që duhet marrë parasysh”, tha ai.
Presidenti rus, Vladimir Putin, gjithashtu deklaroi se Moska ka dhënë udhëzime ushtarake për përgatitjen dhe kryerjen e sulmeve masive ndaj objekteve energjetike të Ukrainës, si përgjigje ndaj asaj që ai e cilësoi si sulme të vazhdueshme ukrainase ndaj infrastrukturës civile dhe objekteve të karburanteve dhe energjisë në Rusi.
“Kina u bën thirrje palëve përkatëse të qëndrojnë të qeta dhe të tregojnë përmbajtje, në mënyrë që të nxitet menjëherë ulja e tensioneve dhe të krijohen kushtet për zgjidhjen politike të krizës”, tha Guo.
Javën e kaluar, Zelenskyy i bëri thirrje Kinës të luajë “rol të fuqishëm diplomatik” në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë.
"Ne llogarisim në bashkëpunim të mëtejshëm dhe që Kina të luajë një rol të fuqishëm diplomatik për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër vendit tonë”, shkroi Zelenskyy të mërkurën e kaluar në platformën sociale amerikane X. “Paqja mund të jetë një arritje e përbashkët e jona”, tha ai.























