| Albanian
RAJONI
3 minuta leximi
Kurti dhe Kos diskutojnë mbi integrimin e Kosovës dhe formimin e institucioneve të reja
Komisarja e BE-së u bëri thirrje aktorëve politikë në Kosovë që pas zgjedhjeve t'i formojnë menjëherë institucionet e reja funksionale.
Kurti dhe Kos diskutojnë mbi integrimin e Kosovës dhe formimin e institucioneve të reja
Kurti dhe Kos diskutojnë mbi integrimin e Kosovës dhe formimin e institucioneve të reja / AA

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Komisaren e Bashkimit Evropiane (BE) për Zgjerim, Marta Kos, me të cilën kanë diskutuar për integrimin e vendit në BE, formimin e institucioneve të reja në vend, procesin e dialogut dhe çështje të tjera.

Kurti tha se me komisaren Kos patën një takim produktiv duke theksuar se Kosova ndan vlera të përbashkëta me BE-në dhe është plotësisht e rreshtuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së.

Duke folur për procesin e integrimit në BE të Kosovës, Kurti tha se janë bërë mbi 40 muaj që kur Kosova ka aplikuar dhe BE-ja duhet të rezultojë me avancimin e merituar të Kosovës.

“Gjetja unitetit brenda BE-së për të marrë vendime karshi Kosovës është detyrë e përbashkët. 

Sigurisht që ne po punojmë me shtetet anëtare, por kërkohet që edhe institucionet e Bashkimit Evropian të shtyjnë këtë unitet përpara. Zgjerimi është mjeti më i suksesshëm i politikës së jashtme të BE-së”, theksoi Kurti duke shtuar se është përgjegjësi e të gjithëve që Kosova të avancojnë në procesin e integrimit.

Ai përmendi edhe dy sulmet që ka përjetuar Kosova të dirigjuara dhe financuara nga Serbia, sulmi në Banjskë dhe ai në kanalin e Ibër-Lepencit. Kurti në fund tha se Kosova “nuk po kërkon as rrugë të shkurta, as derë të pasme, por vetëm proces meritor”.

Komisarja Kos tha se me Kurtin folën për procesin e zgjerimit nga një perspektivë e gjerë. Ajo tha se një nga synimet e saj më të mëdha është integrimi më i fortë në BE i Kosovës. Ajo u bëri thirrje aktorëve politikë në Kosovë që të menjëherë pas zgjedhjeve të formojnë institucionet e reja funksionale derisa theksoi se pas formimit të institucioneve të reja do të rikthehet përsëri në Kosovë për të diskutuar me ekzekutivin e ri.

Sipas saj, zgjerimi sot është shumë më shumë se sa një zgjerim “është detyrë e përbashkët, përmes bashkëpunimit rajonal integrimi në BE”.

“Është e rëndësishme që, sapo të konstituohet Kuvendi i ri, liderët politikë në Kosovë të bashkohen dhe të arrijnë të formojnë të gjitha institucionet shtetërore si dhe të zgjedhin një president të ri në frymën e kompromisit, duke i dhënë kështu fund kësaj periudhe të zgjatur të ngërçit institucional. Ekziston një perspektivë e besueshme evropiane për Kosovën. Ne në Bashkimin Evropian, dhe unë personalisht, jemi të gatshëm të intensifikojmë sërish angazhimin me ju. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që institucionet të jenë plotësisht funksionale”, theksoi Kos.

E pyetur nëse ka një datë se kur Kosova do të mund të jetë pjesë e BE-së, Kos, tha se në BE nuk ka data por vetëm vlerësim të procesit dhe sa më e suksesshme të jetë Kosova në reforma dhe në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, aq të larta do të jenë shansat që të fillojnë negociatat e vërteta. Përveç këtij aspekti, ajo tha se duhet edhe angazhim me shtetet anëtare të BE-së.

Kos shtoi se do të punojë “palodhur” që Kosova të jetë sa më afër BE-së. Vizita e sotme në Kosovë e Komisares Kos është vizita e parë në Kosovë që kur ajo ka marrë detyrën në vitin 2024.



BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë