Presidenti rus, Vlladimir Putin, foli të mërkurën në telefon me homologun e tij amerikan, Donald Trump, dhe propozoi një armëpushim në Ukrainë më 9 maj, ditë që Moska e shënon si Ditën e Fitores në Luftën e Dytë Botërore, tha një këshilltar presidencial rus.
Telefonata u zhvillua me iniciativë të palës ruse, u tha gazetarëve në Moskë nga këshilltari i presidentit rus për çështjet e jashtme, Yury Ushakov.
Sipas tij, Putin propozoi shpalljen e një armëpushimi në Ukrainë më 9 maj, në Ditën e Fitores në Luftën e Dytë Botërore, dhe Trump e mbështeti idenë.
“Vlladimir Putin informoi homologun e tij amerikan për gatishmërinë për të shpallur një armëpushim gjatë periudhës së festimeve të Ditës së Fitores”, tha Ushakov.
Telefonata e fundit e konfirmuar publikisht mes presidentëve të Rusisë dhe ShBA-së kishte ndodhur më 9 mars.
Sipas raportimeve, ajo kishte zgjatur pothuajse një orë dhe ishte iniciuar nga pala amerikane në atë kohë. Biseda ishte përqendruar kryesisht në përshkallëzimin e konfliktit rreth Iranit, si dhe kishte prekur situatën lidhur me negociatat trepalëshe për një zgjidhje në Ukrainë.









