Liderët e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) kanë kundërshtuar çdo tarifë për anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit dhe kanë bërë thirrje për lundrim të sigurt dhe të lirë në këtë rrugë ujore, tha të martën sekretari i përgjithshëm i bllokut.
Në një takim konsultativ në qytetin saudit Jeddah, liderët e Gjirit kundërshtuan mbylljen e ngushticës nga Irani, duke e cilësuar këtë veprim si “të paligjshëm”, tha Jasem Mohamed Albudaiwi.
Liderët gjithashtu urdhëruan hapa të shpejtë për ndërtimin e një tubacioni të përbashkët nafte dhe gazi, si dhe krijimin e një sistemi paralajmërimi të hershëm për të kundërshtuar raketat balistike, shtoi Albudaiwi.
Ngushtica e Hormuzit është një nga pikat më kritike të kalimit të energjisë në botë, me rreth një të pestën e furnizimit global me naftë që kalon përmes saj çdo ditë para fillimit të luftës mes Iranit, ShBA-së dhe Izraelit.
Kjo rrugë ujore është përballur me ndërprerje që nga fillimi i marsit pas shpërthimit të luftës. Konflikti aktualisht është pezulluar përmes një armëpushimi, ndërsa përpjekjet diplomatike vazhdojnë për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme.



















