Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar mbështetjen e Irlandës për avancimin e procesit të integrimit evropian të Kosovës, përkatësisht për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian (BE) dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.
Kurti i cili ndodhet në Dublin për të marrë pjesë në takimin e Komunitetit Politik Evropian (EPC), është pritur nga kryeministri i Irlandës, Michael Martin, të cilin e ka falënderuar për ftesën dhe mikëpritjen.
Në një deklarim për media në prag të takimit të EPC-së, Kurti theksoi se Irlanda është shëmbull suksesi në integrimin dhe anëtarësimin evropian, ndërsa Kosova synon anëtarësim në BE dhe NATO.
“Republika e Kosovës gjithashtu dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO, por për të arritur aty së pari duhet ta marrim statusin e vendit kandidat dhe t'i hapim negociatat për anëtarësim. Ne llogarisim në presidencën Irlandeze”, theksoi Kurti.
Ai gjithashtu e ka falënderuar popullin irlandez për strehimin e më shumë se një mijë refugjatëve shqiptarë të Kosovës në vitin 1999, si dhe ushtarët dhe oficerët irlandezë që kanë shërbyer në kuadër të misionit të KFOR-it për më shumë se dy dekada e gjysmë.
Duke folur për rëndësinë e takimit të Komunitetit Politik Evropian, Kurti ka thënë se është e rëndësishme që liderët evropianë të takohen dhe të harmonizojnë qëndrimet e tyre në një kohë kur vazhdon agresioni rus në Ukrainë.
Sipas tij, lufta në Ukrainë nuk kufizohet vetëm në operacionet ushtarake, por përfshin edhe sulmet ndaj infrastrukturës kritike dhe luftën hibride.
Kurti ka vlerësuar se EPC-ja ndihmon në bashkimin e liderëve dhe koordinimin e përpjekjeve të tyre përballë sfidave të përbashkëta.























