| Albanian
BOTA
1 minuta leximi
Kolonët izraelitë sulmojnë palestinezët në Bregun Perëndimor të pushtuar nën mbrojtjen e ushtrisë
Kolonët sulmuan banorët dhe dëmtuan automjetet në Atara, duke lënë disa palestinezë të plagosur.
Kolonët izraelitë sulmojnë palestinezët në Bregun Perëndimor të pushtuar nën mbrojtjen e ushtrisë
Kolonët izraelitë sulmojnë palestinezët në Bregun Perëndimor të pushtuar nën mbrojtjen e ushtrisë / َAA

Kolonët izraelitë sulmuan sot vendbanimin palestinez Atara, në Bregun Perëndimor të pushtuar, nën mbrojtjen e ushtrisë izraelite, bëjnë të ditur burime lokale.

Dhjetëra kolonë sulmuan disa shtëpi palestineze në Atara dhe dhunuan banorët e tyre, duke lënë disa persona të plagosur. Ata gjithashtu dëmtuan disa automjete, thanë burimet për Anadolu.

Sipas tyre, mes banorëve dhe kolonëve shpërthyen përleshje, çka bëri që ushtria izraelite të ndërhynte në qytet. Ushtarët hodhën gaz lotsjellës dhe granata trullosëse si dhe qëlluan me municion të vërtetë, në mbrojtje të kolonëve.

Korrespondenti i Anadolu-s raportoi se kolonët sulmuan edhe rrugët kryesore pranë Ramallahut. Si pasojë, ushtria izraelite mbylli hyrjet e qytetit, duke shkaktuar radhë të gjata dhe bllokimin e mijëra automjeteve në rrugë.

Rreth 750 mijë kolonë izraelitë jetojnë në 156 vendbanime dhe 360 ​​poste kolonësh në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor të pushtuar dhe kryejnë sulme që synojnë zhvendosjen me forcë të palestinezëve.

Në Bregun Perëndimor të pushtuar është shtuar numri i bastisjeve të ushtrisë izraelite dhe i sulmeve të kolonëve, përfshirë vrasjet, arrestimet, shembjet e shtëpive, rrafshimin dhe konfiskimin e tokave si dhe zgjerimin e vendbanimeve izraelite.