Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, në Samitin e Liderëve të konferencës së OKB-së për klimën COP31 në Antalya të Türkiyes, bëri thirrje që ambiciet për përballimin e ndryshimeve klimatike të shndërrohen në veprime konkrete, duke theksuar nevojën për një tranzicion energjetik të drejtë dhe mbështetje më të madhe financiare ndërkombëtare.
Duke iu drejtuar pjesëmarrësve të samitit të mërkurën, Siljanovska-Davkova theksoi se Maqedonia e Veriut, përmes Kontributit të Tretë të Përcaktuar Kombëtar (NDC 3.0), është zotuar t'i ulë emetimet neto të gazrave serrë për të paktën 80 për qind deri në vitin 2035, me synimin për të arritur neutralitetin klimatik deri në vitin 2050.
Ajo bëri të ditur se ky objektiv mund të arrijë deri në 82 për qind nëse sigurohet mbështetje financiare ndërkombëtare.
“Jemi në rrugë të besueshme drejt neutralitetit klimatik deri në vitin 2050, i cili do të jetë edhe një objektiv ligjërisht i detyrueshëm”, tha presidentja.
Ajo theksoi se këto ambicie po përkthehen në politika konkrete përmes Ligjit të ardhshëm për Veprimin Klimatik, Planit të përditësuar Kombëtar për Energjinë dhe Klimën dhe Udhërrëfyesit për Tranzicion të Drejtë, të cilat janë në përputhje me Agjendën e Reformave të BE-së dhe Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit 2024–2044.
Duke folur për sfidat e tranzicionit energjetik, Siljanovska-Davkova tha se kalimi nga qymyri drejt energjisë së pastër dhe të ripërtëritshme nuk duhet të rëndojë më tej familjet që tashmë përballen me varfërinë energjetike, ngrohjen joadekuate dhe ndotjen e ajrit.
“Tranzicioni duhet të jetë i drejtë dhe i përballueshëm, me vëmendje të veçantë ndaj grave, fëmijëve dhe të rinjve. Një tranzicion që i lë njerëzit pas, e humb qëllimin e tij”, theksoi ajo.
Presidentja vuri në dukje se konfliktet e armatosura dhe kriza e rëndë energjetike po e bëjnë edhe më sfidues procesin e tranzicionit, ndërsa shprehu mbështetjen e vendit për disa nisma ndërkombëtare, përfshirë Angazhimin Global për Elektrifikimin “35 deri në 35”, Marrëveshjen e Antalyas për Ndërtesa me Efiçiencë Energjetike dhe Marrëveshjen e Antalyas për Industrializim të Gjelbër.
Siljanovska-Davkova theksoi se vendi nuk mund ta financojë i vetëm këtë transformim, duke iu referuar raportit të Bankës Botërore për klimën dhe zhvillimin, i cili identifikon nevojën për investime prej miliarda dollarësh në dekarbonizim dhe përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike.
Ajo kërkoi financim ndërkombëtar të parashikueshëm, qasje në kapital, teknologji, ngritje të kapaciteteve dhe partneritete të fuqishme për realizimin e objektivave klimatike.
“Solidariteti duhet të matet jo vetëm me fjalë, por edhe me investime që u mundësojnë vendeve të gatshme për të vepruar ta bëjnë këtë”, tha presidentja, duke shtuar se kjo nuk është thirrje për të ulur ambiciet, por për t'i bërë ato të realizueshme.
Në përfundim të fjalimit, Siljanovska-Davkova bëri thirrje që samiti të përfundojë me rezultate konkrete dhe me angazhime të mbështetura financiarisht.
“Le të largohemi nga Antalya pasi t’i kemi shndërruar ambiciet në zbatim dhe solidaritetin në investime të vërteta. Fëmijët tanë meritojnë një botë të sigurt dhe të shëndetshme, si dhe mundësinë jo vetëm për të mbijetuar, por edhe për të përparuar”, porositi ajo.























