| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Hoxha në Hungari: Shqipëria në fazën vendimtare të negociatave me BE-në
Ministri Hoxha po zhvillon një vizitë zyrtare në Hungari, ku është takuar në Budapest me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme, Anita Orban.
Hoxha në Hungari: Shqipëria në fazën vendimtare të negociatave me BE-në
Hoxha në Hungari: Shqipëria në fazën vendimtare të negociatave me BE-në / TRT Balkan AL

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka deklaruar se Shqipëria ka hyrë në fazën më vendimtare të negociatave të saj për anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE). 

Ministri Hoxha po zhvillon një vizitë zyrtare në Hungari, ku është takuar në Budapest me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme, Anita Orban.

Në një reagim në rrjetet sociale, Hoxha ka theksuar se ai ka shprehur vlerësimin për "mbështetjen e fortë" të Hungarisë ndaj rrugëtimit evropian të Shqipërisë, si edhe për rolin e saj si një zë i rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor brenda BE-së.

"Shqipëria ka hyrë tashmë në fazën më vendimtare të negociatave të saj për anëtarësimin në BE. Ambicia jonë, siç pasqyrohet tashmë edhe në udhërrëfyesin e Komisionit, është e qartë: të bëjmë punën, të çojmë përpara reformat dhe të përmbyllim pjesën teknike të negociatave deri në fund të vitit 2027. Ndërsa ecim përpara në këtë fazë kërkuese, jemi të kënaqur që mund të mbështetemi në përkrahjen e vazhdueshme të Hungarisë", është shprehur Hoxha.

Duke theksuar se Shqipëria dhe Hungaria gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera politike, ai tha: "Ramë dakord se sfida e radhës është t’u japim këtyre marrëdhënieve edhe më shumë përmbajtje ekonomike dhe njerëzore: më shumë tregti dhe investime, lidhje më të forta energjetike, më shumë turizëm dhe bashkëpunim më të thellë në arsim dhe kulturë. Bizneset hungareze kanë tashmë një prani të rëndësishme në Shqipëri, por potenciali për të bërë më shumë është i konsiderueshëm".

Kryediplomati i Shqipërisë theksoi se si aleatë në NATO, shkëmbyen gjithashtu pikëpamje mbi sigurinë rajonale dhe evropiane, sigurinë energjetike dhe rëndësinë e unitetit të Aleancës, sipas tij, në një kohë kur Evropa përballet me sfida të thella gjeopolitike.

"Miqësia mes Shqipërisë dhe Hungarisë është e hershme dhe e rrënjosur thellë në histori, çka ka farkëtuar një lidhje të qëndrueshme mes popujve tanë. Sot, është përgjegjësia jonë të ndërtojmë mbi këtë trashëgimi, duke e shndërruar marrëdhënien tonë të fortë në më shumë mundësi konkrete për qytetarët dhe bizneset tona, si dhe duke punuar së bashku për një Evropë më të fortë, më të sigurt dhe më të begatë", tha ministri Hoxha.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë