Zjarret rekord që përfshinë Evropën shkaktuan humbje ekonomike dhe dëme të përgjithshme të vlerësuara nga 15,6 deri në 19,1 miliardë euro (18–22 miliardë dollarë).
Kryemeteorologu i shërbimit meteorologjik “AccuWeather”, Jonathan Porter, deklaroi të mërkurën vonë se temperaturat ekstreme dhe thatësira e zgjatur nxitën zjarret e rrezikshme në vende si Franca, Spanja dhe Greqia, duke djegur më shumë se gjysmë milioni hektarë.
Porter paralajmëroi se kushtet ekstreme rrezikuan jetë, reduktuan prodhimin bujqësor dhe krijuan rreziqe serioze shëndetësore për shkak të tymit dhe cilësisë së dobët të ajrit.
Të dhënat e Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje treguan se Franca dhe Spanja u përballën me disa prej zjarreve më të mëdha, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar u dogjën më shumë se 22 mijë hektarë.
Një zjarr me përmasa historike pranë Bordosë shkatërroi banesa dhe detyroi evakuimin e më shumë se 224 mijë personave në një sipërfaqe prej 420 kilometrash katrorë.
Flakët në Greqi gjithashtu shkatërruan prona dhe shkaktuan evakuime masive pranë Athinës.
Parashikuesit presin që rreziku jashtëzakonisht i lartë nga zjarret të vazhdojë në Evropën Perëndimore dhe Qendrore, teksa sezoni i zjarreve vijon.




















