| Albanian
BOTA
3 minuta leximi
Republika Turke e Qipros Veriore pezullon zyrtarët e portit pas lundrimit të tragetit që u përmbys
Në një deklaratë me shkrim, Ustel tha se operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë për 18 personat që ende konsiderohen të zhdukur pas përmbysjes së tragetit.
Republika Turke e Qipros Veriore pezullon zyrtarët e portit pas lundrimit të tragetit që u përmbys
Republika Turke e Qipros Veriore pezullon zyrtarët e portit pas lundrimit të tragetit që u përmbys

Zyrtarët e portit që autorizuan nisjen e tragetit të pasagjerëve, i cili u përmbys të dielën në brigjet e qytetit bregdetar të Kyrenias, janë pezulluar nga detyra, njoftoi të hënën kryeministri i Qipros Turke, Unal Ustel.

Në një deklaratë me shkrim, Ustel tha se operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë për 18 personat që ende konsiderohen të zhdukur pas përmbysjes së tragetit.

Ai tha se prioriteti kryesor i qeverisë është gjetja e personave të zhdukur, duke shtuar se në operacionet e kërkim-shpëtimit është përfshirë edhe një ekip i Forcave Speciale Detare të Türkiyes (SAT), i dërguar nga Türkiye.

Ustel theksoi se asnjë neglizhencë lidhur me fatkeqësinë nuk do të mbulohet dhe se përgjegjësit do të përballen me ligjin.

Ai tha se çdo neglizhencë, faj apo përgjegjësi e mundshme në lidhje me fatkeqësinë do të hetohet plotësisht.

“Zyrtarët përkatës të portit, të cilët autorizuan nisjen e anijes, gjithashtu janë pezulluar nga detyra, ndaj tyre është nisur hetim dhe në vend të tyre janë emëruar zyrtarë të rinj”, tha Ustel.

14 të dyshuar para gjykatës

Katërmbëdhjetë të dyshuar u paraqitën të hënën para Gjykatës së Qarkut në Kyrenia, në kuadër të hetimit për fatkeqësinë.

Mes të dyshuarve janë kapiteni i tragetit, shtatë anëtarë të ekuipazhit, një punonjës i kompanisë dhe dy zyrtarë të Portit të Kyrenias.

Policia tha se, me urdhër të gjykatës, po kërkon edhe dy persona të tjerë në kuadër të hetimit.

Gjatë deklarimeve para gjykatës, kapiteni dhe anëtarët e ekuipazhit thanë se anija u përmbys pasi pjesa e përparme e saj u dëmtua për shkak të dallgëve të forta.

Ata pretenduan se të dhënat meteorologjike nuk tregonin probleme në momentin e nisjes dhe se anija kishte certifikata të vlefshme të lundrimit dhe dokumentacion administrativ.

Gjykata urdhëroi policinë të shqyrtojë videot e regjistruara nga pasagjerët dhe të hetojë pretendimet lidhur me rrethanat e aksidentit.

Gjithashtu, u urdhërua një hetim teknik për të përcaktuar nëse anija kishte qenë më parë e përfshirë në ndonjë aksident apo nëse i ishin kryer riparime.

Gjykata caktoi edhe tre ditë paraburgim shtesë për nëntë të dyshuar, mes tyre kapitenin, oficerin e parë, një punonjës të kompanisë dhe disa anëtarë të ekuipazhit.

Pesë të tjerë, përfshirë dy zyrtarët e portit, u liruan në pritje të gjykimit.

Seanca e radhës është caktuar për të enjten, në mënyrë që hetuesit të mbledhin deklarata, dokumente dhe prova të tjera, të marrin në pyetje dëshmitarë dhe të shqyrtojnë gjetjet e reja.

Të afërmit e disa prej pasagjerëve protestuan gjatë shoqërimit të të dyshuarve në gjykatë.

Trageti Filo Jet u përmbys teksa po përpiqej të kthehej në Portin e Girnes, pasi mori ujë përmes pjesës së përparme, pak pas nisjes.

Në traget ndodheshin 267 persona, përfshirë 259 pasagjerë dhe tetë anëtarë të ekuipazhit.

Gjithsej 241 persona u shpëtuan, ndërsa tetë humbën jetën.

Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë për 18 personat që ende rezultojnë të zhdukur.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë