| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Trump telefonon Erdoğanin për të diskutuar mbi samitin e Organizatës së Shteteve Turkike në Ankara
Telefonata vjen ndërsa Ankaraja po e pret samitin e 13-të të bllokut, të përqendruar te bashkëpunimi rajonal dhe uniteti midis shteteve turkike.
Trump telefonon Erdoğanin për të diskutuar mbi samitin e Organizatës së Shteteve Turkike në Ankara
Trump telefonon Erdoğanin për të diskutuar mbi samitin e Organizatës së Shteteve Turkike në Ankara /AA

Presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi të enjten bisedë telefonike me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan gjatë një darke të liderëve botërorë, të organizuar për ta shënuar 29 Tetorin, Ditën e Republikës, dhe diskutoi me të për samitin e kësaj jave të Organizatës së Shteteve Turkike (OTS).

Erdoğan i përcolli Trumpit përshëndetjet e liderëve të pranishëm në darkë dhe tha se samiti i 13-të i organizatës do të mbahet në kryeqytetin Ankara, njoftoi Drejtoria e Komunikimeve të Türkiyes.

Ai tha se në samit do të miratohen vendime që synojnë avancimin e organizatës, e cila është shndërruar në një burim stabiliteti dhe sigurie në Azinë Qendrore, me një popullsi prej më shumë se 200 milionë banorësh.

Trump uroi Erdoğanit suksese në samit, bëri të ditur Drejtoria.

Solemniteti u organizua ndërsa Ankaraja pret të enjten dhe të premten samitin e 13-të të OTS-së, me temën “Shekulli Turk: Uniteti në gjuhë, mendim dhe veprim”. Pritet që në samit të trajtohet bashkëpunimi rajonal, të forcohet solidariteti ndërmjet shteteve anëtare dhe të avancohet Vizioni 2040 për Botën Turkike.

E themeluar në vitin 2009, OTS-ja përfshin Türkiyen, Azerbajxhanin, Kazakistanin, Uzbekistanin dhe Kirgistanin si anëtare, ndërsa Turkmenistani, Hungaria, Republika Turke e Qipros Veriore (RTQV) dhe Organizata e Bashkëpunimit Ekonomik kanë statusin e vëzhguesit.