Ambasadori i Türkiyes në Tiranë, Barış Ceyhun Erciyes, ka zhvilluar një takim me ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të Shqipërisë, Klodiana Spahiu, me fokus diskutimet mbi forcimin e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë.
Në një njoftim nga Ambasada e Türkiyes në Tiranë të publikuar në rrjetet sociale thuhet se gjatë takimit u diskutua mbi marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve në fushën e shëndetësisë, si dhe mbi mundësitë për forcimin e bashkëpunimit.
"Ambasadori Erciyes zhvilloi një vizitë kortezie te ministrja e re e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale e Republikës së Shqipërisë, Klodiana Spahiu. Gjatë takimit u diskutua mbi marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Türkiyes dhe Republikës së Shqipërisë në fushën e shëndetësisë, si dhe mbi mundësitë për forcimin e bashkëpunimit në këtë fushë", thuhet në njoftim.
Kujtojmë se Spahiu u emërua në postin e ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në fillim të muajit shtator.























