Ministri i Bujqësisë dhe i Zhvillimit Rural i Shqipërisë, Andis Salla, ka deklaruar se legjislacioni shqiptar për sigurinë ushqimore është i përafruar me rregulloret e Bashkimit Evropian (BE).
Në seancën e sotme parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë u zhvillua interpelanca me ministrin Salla mbi çështjet që lidhen me sigurinë ushqimore, me fokus mbi situatën e prodhimit, përpunimit dhe tregtimit të qumështit në vend.
Salla deklaroi se besimi te ushqimi është thelbësor dhe shtoi se siguria e ushqimit është një çështje që prek drejtpërdrejt çdo familje shqiptare.
Ai u shpreh se sektori i qumështit në Shqipëri është një sektor jetik për ekonominë rurale dhe për sigurinë ushqimore të vendit, por sipas tij është një sektor ende në tranzicion dhe me sfida strukturore të trashëguara ndër vite.
"Çështja e çmimit të qumështit, importit dhe funksionimit të pikave të grumbullimit është një çështje reale, e ndjeshme dhe me ndikim të drejtpërdrejtë tek fermeri, tek përpunuesit, dhe tek konsumatori shqiptar. Shqipëria është ekonomi tregu me angazhime dhe marrëdhënie tregtare dhe me detyrime për të respektuar standardet e konkurrencës, por importi nuk mund dhe nuk duhet të kthehet në një instrument deformimi të tregut të brendshëm, për aq më pak nën presionin e drejtpërdrejtë mbi fermerët shqiptarë”, tha Salla.
Ministri Salla u shpreh ndër të tjerash se prodhimi total i qumështit në vend vlerësohet rreth 1 milion ton në vit.
Ai theksoi se nuk mund të ketë zhvillim të sektorit të qumështit pa një sistem grumbullimi funksionali me analiza të cilësisë.
"Ministria e Bujqësisë dhe i Zhvillimit Rural ka përgjegjësinë e përafrimit të plotë të legjislacionit me Bashkimin Evropian, në kuadër të Kapitullit 12-të. Nga ana teknike, Shqipëria sot ka një bazë të plotë ligjore të harmonizuar me Bashkimin Evropian. Sot, legjislacioni shqiptar për sigurinë ushqimore, higjienën, gjurmueshmërinë, kriteret mikrobiologjike dhe nivelet e ndotësve është i përafruar me rregulloret e BE-së", tha Salla.
Interpelanca u kërkua nga deputeti i partisë në pushtet, Partisë Socialiste, Erion Braçe, i cili duke folur edhe për sektorin e qumështit theksoi se prodhimi vendas po zëvendësohet nga importi.
Ndërkohë, fermerët në ditët e fundit kanë pretenduar se Skema Kombëtare e Mbështetjes për Bujqësinë për vitin 2026 nuk ofron mbështetje ndaj tyre, ndërkohë kanë organizuar edhe protesta.


















