Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, paralajmëroi të enjten se sulmet e vazhdueshme izraelite ndaj Libanit do t'i bënin negociatat e armëpushimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) "të pakuptimta", pasi Kryetari i Parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf tha se Libani është një "pjesë e pandashme" e marrëveshjes.
"Sulmet e vazhdueshme do t'i bëjnë negociatat të pakuptimta; duart tona do të mbeten në këmbëz dhe Irani nuk do t'i braktisë kurrë vëllezërit dhe motrat e tij libanezë", shkroi Pezeshkian në platformën sociale X.
Në një postim të veçantë në X, Ghalibaf tha se Libani dhe ajo që ai e përshkroi si "Boshti i Rezistencës" janë pjesë integrale e kornizës së armëpushimit, duke cituar vërejtjet e kryeministrit pakistanez, Shehbaz Sharif.
"Libani dhe i gjithë Boshti i Rezistencës, si aleatë të Iranit, formojnë një pjesë të pandashme të armëpushimit", tha Ghalibaf.
Ai shtoi se kryeministri pakistanez e ka theksuar "publikisht dhe qartë" çështjen e Libanit, duke paralajmëruar se "nuk ka vend për mohim dhe tërheqje".
Ghalibaf paralajmëroi gjithashtu se shkeljet e armëpushimit do të shkaktojnë "përgjigje të forta".
"Shkeljet e armëpushimit mbartin kosto të qarta dhe përgjigje të forta", paralajmëroi ai duke thënë: “Shuajeni zjarrin menjëherë”.
Ushtria izraelite përshkallëzoi sulmet e saj në të gjithë Libanin që nga e mërkura, pavarësisht një armëpushimi dyjavor të ndërmjetësuar nga Pakistani midis SHBA-së dhe Iranit si një hap drejt një marrëveshjeje përfundimtare për të ndaluar një luftë të nisur nga Washingtoni dhe Tel Avivi kundër Teheranit më 28 shkurt.
Islamabadi dhe Teherani thanë se armëpushimi përfshin Libanin, ndërsa Uashingtoni dhe Tel Avivi e mohuan këtë.
Sipas Mbrojtjes Civile të Libanit, sulmet ajrore izraelite vranë të paktën 254 persona dhe plagosën 1.165 të tjerë të mërkurën.
Burime qeveritare pakistaneze thanë për Anadolu të enjten se delegacionet amerikane dhe iraniane do të zhvillojnë bisedime “të drejtpërdrejta” në Islamabad që synojnë arritjen e një “armëpushimi të përhershëm”.
Negociatat, të cilat do të fillojnë të shtunën, mund të zgjasin përtej një dite të vetme, thanë burimet.















