Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi priti në takim Presidentin e Parlamentit të Landit të Saksonisë-Anhalt, Gunnar Schellenberger.
Në fokus të takimit ishte forcimi i marrëdhënieve ndërparlamentare dhe bashkëpunimi ekonomik mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.
Gjatë takimit, Peleshi theksoi rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit mes Kuvendit dhe Bundestagut si edhe zgjerimin e shkëmbimeve me parlamentet e landeve gjermane.
Në qendër të diskutimeve ishte edhe thellimi i bashkëpunimit ndërajonal në fusha me interes të përbashkët, si energjia, teknologjia e informacionit, arsimi, formimi profesional dhe kultura.
Palët nënvizuan gjithashtu nevojën për rritjen e investimeve gjermane në Shqipëri, duke e konsideruar këtë si një element kyç për zhvillimin ekonomik dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.


















