Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, është takuar me ambasadorin e Azerbajxhanit në Shqipëri, Anar Huseynov, ndërkohë kryediplomati i Shqipërisë ka theksuar se kanë riafirmuar angazhimin për të forcuar lidhjet dypalëshe.
Në një reagim në rrjetet sociale në lidhje me takimin, Hoxha ka shkruar se kanë diskutuar mbi mënyrat për të intensifikuar më tej dialogun politik dhe se kanë riafirmuar angazhimin e përbashkët për të forcuar lidhjet dypalëshe, "të bazuara në respekt të ndërsjellë dhe interesa të përbashkëta".
"Hapja e ambasadave tona përkatëse në Tiranë dhe Baku shënon një moment të rëndësishëm që i ka dhënë një vrull të ri marrëdhënieve tona. Ne e mirëpritëm këtë përparim dhe theksuam rëndësinë e ruajtjes së shkëmbimeve të rregullta të nivelit të lartë", është shprehur Hoxha.
Sipas ministrit Hoxha, sektori i energjisë mbetet një gur themeli i partneritetit, "duke ofruar përfitime të prekshme për sigurinë rajonale të energjisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm".
"Gjithashtu, identifikuam potencial të fortë për të zgjeruar bashkëpunimin në ndërlidhje, tregti, turizëm dhe shkëmbime kulturore. Ne theksuam vlerën e koordinimit të vazhdueshëm në forumet rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe rëndësinë e ndërtimit të partneriteteve praktike që i afrojnë vendet dhe popujt tanë", është shprehur Hoxha.


















