| Albanian
BOTA
3 minuta leximi
BE-ja: Çmimet e larta të karburantit nuk duhet të konsiderohen “rrethana të jashtëzakonshme”
Komisioni Evropian sqaroi se pasagjerët e prekur nga anulimet e fluturimeve kanë ende të drejtë për rimbursim, riorientim udhëtimi, asistencë në aeroporte dhe kompensim për ndërprerjet e minutës së fundit.
BE-ja: Çmimet e larta të karburantit nuk duhet të konsiderohen “rrethana të jashtëzakonshme”
BE-ja: Çmimet e larta të karburantit nuk duhet të konsiderohen “rrethana të jashtëzakonshme” / TRT Balkan

Komisioni Evropian ka deklaruar se çmimet e larta të karburantit të lidhura me krizën në Lindjen e Mesme nuk duhet të konsiderohen si “rrethana të jashtëzakonshme” që i lejojnë kompanitë ajrore ta shmangin kompensimin e pasagjerëve për anulimet e fluturimeve.

Në udhëzimet e publikuara për sektorët e transportit dhe turizmit në BE, Komisioni Evropian sqaroi se pasagjerët e prekur nga anulimet e fluturimeve kanë ende të drejtë për rimbursim, riorientim udhëtimi, asistencë në aeroporte dhe kompensim për ndërprerjet e minutës së fundit sipas rregullave të BE-së për të drejtat e pasagjerëve ajrorë.

Kompanitë ajrore mund të përjashtohen nga pagesa e kompensimit vetëm nëse provojnë se anulimet janë shkaktuar nga rrethana të jashtëzakonshme, si mungesë lokale e karburantit. Megjithatë, u theksua se rritja e çmimeve të karburantit nuk kualifikohet si përjashtim i tillë.

Udhëzimi vjen në mes të ndërprerjeve të vazhdueshme të furnizimit me karburant dhe mbylljes së disa rrugëve ajrore dhe detare të lidhura me tensionet në Lindjen e Mesme.

Për t’i ndihmuar kompanitë ajrore të përballojnë mungesat e mundshme të karburantit për avionë, komisioni tha se transportuesit mund të përjashtohen nga detyrimi i BE-së për mbushje me 90 për qind karburant sipas rregullave të ‘ReFuelEU Aviation’ në rastet kur rregulloret e sigurisë kërkojnë ngarkesë shtesë të karburantit.

Agjencia Evropiane e Sigurisë së Aviacionit (EASA) gjithashtu publikoi një buletin informacioni sigurie mbi përdorimin e sigurt të karburantit të aviacionit Jet A në Evropë.

Përveç kësaj, komisioni miratoi një kornizë të përkohshme për ndihmë shtetërore që u lejon vendeve anëtare të BE-së të mbështesin sektorët e transportit rrugor, hekurudhor, ujërave të brendshme dhe detar që preken nga çmimet e larta të naftës dhe ndërprerjet e tjera të lidhura me krizën.

Çmimet e karburantit për avionë në Evropë janë rritur ndjeshëm që nga viti i kaluar, pasi konflikti në Lindjen e Mesme dhe ndërprerjet e transportit përmes Ngushticës së Hormuzit kanë rritur çmimet e naftës dhe gazit natyror.

Rafineritë e BE-së zakonisht mbulojnë rreth 70 pwr qind të kërkesës së bllokut për karburant aviacioni, ndërsa pjesa tjetër importohet kryesisht nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Gjirit.

Disa kompani ajrore evropiane tashmë janë nën presion nga rritja e kostove të karburantit. Kompania holandeze KLM tha se do të anulojë 160 fluturime brenda Evropës këtë muaj, ndërsa Lufthansa e Gjermanisë njoftoi plane për të ndaluar operimet e filialit të saj CityLine dhe për të anuluar 20.000 fluturime të shkurtra deri në tetor për shkak të rritjes së çmimeve të karburantit për avionë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë