Ushtruesja e Detyrës Presidente e Kosovës, Albulena Haxhiu ka dekretuar Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.
Nëpërmjet një postimi në median sociale, Haxhiu bëri të ditur se ka nënshkruar shpalljen e një sërë ligjesh në sfera të ndryshme, përfshirë edhe ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës për anëtarësimin në Bordin e Paqes të formuar nën iniciativën e presidentit amerikan Donald Trump për Gazën.
Ndryshe, Kuvendi e miratoi marrëveshjen për anëtarësimin e vendit në këtë mekanizëm ndërkombëtar me shumicë votash më 24 prill.
Bordi i Paqes u themelua më 22 janar në Davos të Zvicrës, nëpërmjet të cilit ShBA-ja synon zgjidhjen e konflikteve globale me fokus mbikëqyrjen e udhëheqjes në Rripin e Gazës.
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte njëra nga 19 udhëheqësit botërorë që nënshkruan themelimin e këtij bordi, i cili synon rindërtimin e Gazës pas luftës dyvjeçare shkatërruese.
Partitë kryesore parlamentare e mbështetën njëzëri kalimin e kësaj marrëveshjeje, duke konsideruar se ajo “riafirmon imazhin e Kosovës në sytë e botës”.
Kosova dhe Shqipëria janë të vetmet shtete nga rajoni i Ballkanit Perëndimor që i janë bashkuar Bordit të Paqes, ndërsa nga vendet e BE-së, vetëm Hungaria dhe Bullgaria.























