Në qytetin e Durrësit është prezantuar sot faza e dytë e projektit "EU4Municipalities" (BE-ja për Bashkitë), një program i mbështetur nga Bashkimi Evropian (BE) me qëllim forcimin e pushtetit vendor në Shqipëri dhe mbështetjen e procesit të integrimit evropian të vendit.
I papranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili e vlerësoi programin si "një investim strategjik të BE-së".
Rama theksoi se konsolidimi i qeverisjes vendore është pjesë e pandashme e funksionimit të një shteti anëtar të BE-së.
"Bashkimi Evropian edhe anëtarësimi në familjen evropiane janë një bekim për Shqipërinë, por nga ana tjetër janë dhe një sfidë e madhe posaçërisht në nivelin vendor, pasi konsolidimi i nivelit të qeverisjes vendore është pjesë e pandarë dhe e patjetërsueshme e mënyrës së funksionimit dhe për mirëfunksionimin e marrëdhënieve mes Bashkimit Evropian dhe një vendi anëtar", tha Rama.
Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, u shpreh se projekti në fjalë i vendos qytetarët dhe vetë bashkitë në qendër të rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së.
"Programi 'BE-ja për Bashkitë' synon që të sigurojë që qeverisja vendore të mos jetë thjesht vëzhguese e këtij procesi, por të jetë partner aktiv në formësimin e të ardhmes evropiane të Shqipërisë", tha Gonzato.
Sipas Delegacionit të BE-së në Tiranë, projekti "EU4Municipalities", i financuar nga BE-ja me 10 milionë euro dhe me një kontribut financiar shtesë prej 1 milion euro nga Gjermania, ofron mbështetje të drejtpërdrejtë për nismat e qeverisjes vendore në shërbime dhe infrastrukturë, si edhe forcon kapacitetet e tyre institucionale.























