Rushit Kusho, gazetashitësi i fundit i Gjirokastrës
RAJONI
3 minuta leximi
Rushit Kusho, gazetashitësi i fundit i GjirokastrësDikur gazeta ishte pjesë e pandashme e kafesë së mëngjesit. Sot, telefoni ka ndryshuar mënyrën e informimit, ndërsa Rushit Kusho vijon të shpërndajë gazetat në rrugët e Gjirokastrës.
Rushit Kusho, gazetashitësi i fundit i Gjirokastrës.

Me pak se një dekadë më parë, sapo dilnim nga shtëpia, rrugës për të pirë kafenë e mëngjesit, kërkonim me sy gazetashpërndarësin. Ishte një ritual i zakonshëm. Njerëzit merrnin gazetën dhe uleshin në kafene për të lexuar lajmet e ditës.

Punën e gazetashpërndarësit në qytetin e Gjirokastrës për më shumë se 25 vite e kryen Rushit Kusho, i cili, duke folur për TRT Balkan, rrëfen se si gazeta, dikur pjesë e pandashme e kafesë së mëngjesit, sot është bërë një prani gjithnjë e më e rrallë.

Në tavolina, mes kërcitjeve që bënin filxhanët e kafesë sa herë vendoseshin në pjatë pas një gllënjke, gazetat hapeshin faqe më faqe dhe ngjarjet që ndodhnin në vend e në botë bëheshin pjesë e bisedave të mëngjesit.

Kur ndodhte një ngjarje e rëndësishme, Kusho rikujton se gazeta ishte një nga mënyrat kryesore për të marrë vesh çfarë kishte ndodhur. Titujt e mëdhenj të mëngjesit përcaktonin shpesh edhe bisedat e ditës.

"Atëherë kishte shumë gazeta dhe të paktën në vitin 2001, kur kam filluar unë, mund të them se shpërndaja rreth 50 gazeta. Tani shes deri në 15 gazeta, jo më shumë. Thjesht për të plotësuar një nevojë të vogël të ditës", tregon Kusho.

Ai shton se atëkohë përmes gazetës diskutoheshin politika, ligjet, deklaratat e politikanëve dhe zhvillimet e fundit. Informacioni kishte një ritëm tjetër dhe, për shumë njerëz, gazeta ishte mënyra më e besueshme për t'u informuar.

Sot, lajmi mbërrin shumë më shpejt, thotë ai. Një telefon mjafton për të parë çfarë po ndodh në vend apo në anën tjetër të botës, ndërsa platformat dhe mediat online e kanë bërë informacionin të disponueshëm në çdo moment. Bashkë me këtë ndryshim, edhe gazeta e printuar është bërë një prani gjithnjë e më e rrallë në jetën e përditshme. Këtë ndryshim e ka parë nga afër Rushiti, i cili ende gëzon respekt në mesin e gjirokastritëve.

"Nëpër tavolina kishte gazeta dhe diskutohej: 'Jo filani politikan kështu, jo filani ligj kështu', 'është bërë kështu, ndoshta duhet kjo, ndoshta duhet ajo', 'shiko si flet X, shiko si flet Y'. Gjithmonë rreth botës politike flisnim", kujton Kusho.

Ai thotë se i kanë mbetur vetëm tre blerës besnikë, ndërsa ata janë kryesisht të moshës së tretë. Për brezat e tjerë, lajmi është zhvendosur kryesisht në ekranin e telefonit.

Dikur, një gazetë në tavolinë ishte edhe një arsye për të nisur një bisedë. Lajmet lexoheshin me zë, komentoheshin dhe shpesh shoqëronin kafenë deri në fund. Sot, shumë prej atyre bisedave nisin nga një ekran që ndriçon në pëllëmbën e dorës dhe lajmi i radhës mbërrin vetëm pak sekonda më vonë.

Megjithatë, për Rushitin kjo punë nuk është vetëm shitja e gazetës. Është edhe komunikimi me njerëzit, përshëndetjet e mëngjesit dhe një rutinë që e ka shoqëruar për një çerek shekulli. Edhe pse jeton me shikim të kufizuar dhe kjo e vështirëson punën e tij të përditshme, ai thotë se do të vazhdojë ta bëjë për sa kohë të ketë fuqi për të lëvizur.

Në rrugët e Gjirokastrës, gazetat e Rushitit janë sot më të pakta, por mes një qyteti që ndryshon dhe një bote që tashmë e sjell lajmin në telefon brenda pak sekondash, ai vazhdon të mbajë gjallë një ritual të vjetër, gazetën e mëngjesit, të sjellë në dorën e lexuesit.