Studentët e Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina", kanë marshuar në shenjë proteste kundër vendimit dënues të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Studentët, të cilëve ju bashkuan edhe qytetarë të shumtë marshuan nga Qendra e Studentëve në Prishtinë dhe vazhduan deri në sheshin "Skënderbeu", aty ku ndodhet pankarta me profilet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
"UÇK" dhe "Jo në emrin tim", ishin disa nga thirrjet e studentëve gjatë marshit të tyre.
Studenti Granit Spahiu tha se studentët nuk do të jenë asnjëherë me padrejtësinë. "Si gjeneratë e lindur pas luftës që nuk e kemi përjetuar luftën e baballarëve, nënave, vëllezërve e motrave tona, ne e kemi për detyrë ta trashëgojmë dhe mos ta harrojmë sakrificën e tyre në emrin më të madh UÇK", tha Spahiu.
Studenti Donart Humolli, gjatë marshit të studentëve të UP-së tha se rinia e Kosovës nuk pranon atë që e konsideron gjykim të padrejtë ndaj atyre që e mundësuan lirinë e vendit.
Sipas tij, nuk ka gjykatë apo vendim që do ta ndryshojë mënyrën se si rinia e Kosovës i sheh çlirimtarët.
"Prandaj, nuk pranojmë asnjë gjykim, të padrejtë apo dënues, ndaj atyre që na e mundësuan këtë liri", theksoi Humolli.
Studentët bënë edhe një aktivitet tjetër simbolik duke i lëshuar pëllumbat e bardhë, që simbolizojnë lirinë.
Më 16 shtator, Thaçi dhe Krasniqi u shpallën fajtor dhe u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërkaq Veseli me 18 vjet burgim dhe Selimi me 13 vjet burgim nga Gjykata Speciale. Ky dënim është shqiptuar në shkallën e parë dhe palët kanë të drejtë ankese në Apel.
Ish-udhëheqësit e UÇK-së u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.




















