| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Opozita sllovene paraqet mocion kundër ministrit të Jashtëm për politikën ndaj Izraelit
Partitë kritikuan qeverinë për përmbysjen e masave ndaj Izraelit të vendosura nga administrata e mëparshme dhe bllokimin e një deklarate të BE-së që dënon dhunën e kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Opozita sllovene paraqet mocion kundër ministrit të Jashtëm për politikën ndaj Izraelit
Opozita sllovene paraqet mocion kundër ministrit të Jashtëm për politikën ndaj Izraelit

Partitë opozitare sllovene të hënën paraqitën një mocion kundër ministrit të Jashtëm, Tone Kajzer, për politikën e jashtme të qeverisë, veçanërisht për qasjen e tij ndaj Izraelit.

Mocioni u iniciua nga deputetja e Social Demokratëve, Andreja Katic, dhe u mbështet nga Lëvizja për Liri dhe partia E Majta, sipas transmetuesit publik RTV Slovenia.

Partitë kritikuan qeverinë për përmbysjen e masave ndaj Izraelit të vendosura nga administrata e mëparshme dhe bllokimin e një deklarate të BE-së që dënon dhunën e kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Sllovenia raportohet se ishte i vetmi shtet anëtar i BE-së që bllokoi miratimin e deklaratës në fund të gushtit.

Mosmarrëveshja pasqyron një ndryshim të madh në politikën e Sllovenisë ndaj Izraelit nën kryeministrin, Janez Jansa, qeveria e të cilit pas marrjes së detyrës hoqi embargon e armëve, ndalimet e hyrjes për liderët izraelitë dhe kufizimet ndaj importeve nga vendbanimet izraelite.

Tensionet u shtuan pasi Izraeli hapi ambasadën e parë me seli të përhershme në Lubjanë dhe ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, vizitoi vendin. Gjatë vizitës së tij raportohet se protestuan rreth 5.000 persona.

Kajzer, i cili ndodhet në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, tha se do të përgatisë një përgjigje zyrtare pasi të njoftohet zyrtarisht për mocionin.

“Interpelanca është një instrument legjitim që opozita ka në dispozicion për të kontrolluar veprimet e qeverisë. Nëse bazohet vetëm në atë që tashmë ishte temë diskutimi në komision, mendoj se është më shumë një shfaqje. Më shumë një stuhi në një gotë uji sesa një çështje serioze”, tha ai.

Kajzer tha se Sllovenia do të vazhdojë t’i japë përparësi multilateralizmit dhe të drejtës ndërkombëtare, ndërsa do të ndjekë atë që e përshkroi si politikë të jashtme pragmatike, të bazuar në dialog dhe jo në veprime të njëanshme.

Lëvizja për Liri dhe E Majta gjithashtu së fundmi paraqitën një ankesë kushtetuese lidhur me politikën e qeverisë ndaj Izraelit.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë