Qeveria e Kosovës ka formuar grup pune për hartimin dhe bashkërendimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e Apelit para Dhomave të Specializuara në rastin e katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) të cilët morën aktgjykim dënues.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se aktgjykimi i shkallës së parë është i padrejtë, juridikisht dhe moralisht, prandaj edhe theksoi se Qeveria po punon që të bëhet korrigjimi i tij në shkallën e Apelit.
Kurti tha se grupi do të kryesohet nga zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Glauk Konjufca, ndërsa bëri të ditur se në këtë grup do të ketë edhe përfaqësues të tjerë institucional dhe parlamentar.
“Për këtë nevojitet një strategji shtetërore e kombëtare si dhe një organizim që i tejkalon dallimet partiake. Për këtë arsye, po e themelojmë grupin punues, të kryesuar nga Konjufca, me përfaqësim institucional dhe parlamentar, për të bashkërenduar mbështetjen juridike e institucionale në funksion të procedurave të Apelit. Me këtë vendim po e konkretizojmë zotimin tonë që, me mjetet që i kemi në dispozicion, të angazhohemi për drejtësi dhe për mbrojtjen e historisë së luftës së UÇK-së”, ka thënë ai.
“Në Apel na duhet suksesi”, ka deklaruar Kurti para se të miratohej vendimi për formimin e grupit.
Më 16 shtator, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u shpallën fajtor dhe u dënuan me nga 25 vjet burgim, ndërkaq Kadri Veseli me 18 vjet burgim dhe Rexhep Selimi me 13 vjet burgim nga Gjykata Speciale.
Ish-udhëheqësit e UÇK-së u dënuan për krime lufte, përfshirë ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.























