Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos, ka deklaruar se e ardhmja e Shqipërisë është në BE, ndërkohë që Shqipëria e mbylli kapitullin e katërt të negociatave me BE-në.
Në Luksemburg është mbajtur sot Konferenca e 10-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësim, duke shënuar mbylljen provizore të kapitullit 20 që lidhet me zhvillimin e sipërmarrjes, politikat industriale, mbështetjen e bizneseve, inovacionin dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.
Në përfundim të konferencës ndërqeveritare u mbajt konferenca për mediat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, komisioneres Kos dhe ministrit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen të Irlandës, Thomas Byrne, vendi i të cilit mban presidencës e radhës të BE-së.
Rama theksoi se e dinë që ende kanë rrugë të gjatë për të bërë, por ai shtoi se janë gati dhe të përgatitur për t’ia dalë.
Kryeministri Rama shtoi se progresi matet mbi të gjitha me reformat e realizuara.
"Bëhet i katërti kapitull negociues që mbyllet provizorisht vetëm brenda pak muajsh. Ne jemi të vetëdijshëm se progresi nuk matet thjesht me numrin e kapitujve të mbyllur, këto janë gurë kilometrikë të rëndësishëm, nuk ka aspak dyshim, por progresi matet mbi të gjitha me reformat e realizuara, fuqizimin e institucioneve dhe rezultate e prekshme që janë arritur", u shpreh Rama.
Komisionerja Kos tha se Shqipëria është një nga kryesuesit e këtij progresi sipas saj mbresëlënës që po arrijnë sot. Ajo theksoi se falë punës së madhe të Shqipërisë dhe mbështetjes së vendeve anëtare, po mbyllin një tjetër kapitull.
Sipas saj, Shqipëria po sjell po ashtu politikat e saj industriale më pranë atyre të BE-së, sidomos sa u takon teknologjive të reja. këto janë thelbësore për të ndërtuar një ekonomie të fortë shqiptare.
"Shqipëria i ka vënë vetes objektivin ambicioz për të mbyllur gjithë kapitujt negociues deri në fund të vitit 2027. Ne mbështetshim këtë ambicie, por për të arritur këtë ambicie, Shqipëria duhet të vazhdojë të japë rezultate. Anëtarësimi në BE është një projekt kombëtar. Ne po përgatitemi për një BE më të gjerë. E ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian", u shpreh Kos.
Ministri Byrne theksoi se Shqipëria sot ka mbyllur një kapitull tjetër negociues. "Shqipëria mbylli tre kapitujt e parë negociues në korrik. Sot po konfirmojmë që Shqipëria jo vetëm që ka hyrë në fazën përfundimtare të procesit të anëtarësimit, por vazhdon të bëjë progres. Kjo vazhdimësi, ky progres i qëndrueshëm është dëshmi e angazhimit të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE", tha ai.
Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në BE që nga viti 2014 dhe synon të përfundojë negociatat deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin e plotë në BE deri në vitin 2030.



























