Në Shqipëri ka filluar sot Kongresi i 2-të Ndërkombëtar i Shkencave të Shëndetit, që do të vazhdojë për disa ditë.
Në ceremoninë e hapjes ishte e pranishme edhe ministrja e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale e Shqipërisë, Evis Sala, e cila në fjalën e saj u fokusua tek teknologjia, inovacioni dhe sistemi shëndetësor.
Ministrja Sala theksoi se besojnë në fuqinë e mjekësisë për t'i shërbyer shoqërisë.
"Mjekësia ka ndryshuar rrënjësisht gjatë gjithë këtyre dekadave. Ndryshimi kërkon energji dhe kërkon mendje inovative. Jetojmë në një epokë ku ekselenca klinike duhet të ecë krah për krah me inovacionin shkencor", u shpreh Sala.
Ajo shtoi se teknologjia duhet të mbetet gjithmonë e udhëhequr nga vlerat njerëzore.
"Detyra jonë është e qartë: të ndërtojmë një sistem shumë cilësor ku mjekët, studiuesit dhe studentët të udhëheqin inovacionin këtu në vendin tonë", tha Sala.
Ky kongres shkencor organizohet në datat 24-26 prill nga Universiteti i Mjekësisë në Tiranë, në bashkëpunim me institucione të sektorit të shëndetësisë.
Sipas organizatorëve, gjatë këtyre ditëve, Tirana do të kthehet në një pikë referimi për diskutime me vlerë, ide inovative dhe zhvillime të reja në fushën e shëndetësisë.
















