Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka thënë se Mali i Zi është vendi më i avancuar ndër të gjitha vendet që po përparojnë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).
Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, tha se Mali i Zi është në rrugën e duhur për t’u bërë anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian në vitin 2028.
Kos tha se Mali i Zi ka mbyllur 21 kapituj ndërsa kanë mbetur edhe 14-të të tjerë dhe Mali i Zi mund ta arrijë këtë objektiv deri në fund të këtij viti.
Në këtë mënyrë, Kos tha se Mali i Zi dëshmon se procesi i anëtarësimit mund të sjellë transformime domethënëse kur një vend është i vendosur t’i përmbushë kriteret për anëtarësim dhe t’i përmbahet vlerave evropiane.
Duke folur për Shqipërinë, komisionarja Kos tha se ritmi me të cilin Shqipëria po zbaton reformat e BE-së është dëshmi e përkushtimit të saj ndaj anëtarësimit në BE.
Kos tha se Shqipëria ka shënuar përparim në zbatimin e reformave kryesore dhe ka mbyllur përkohësisht katër kapituj negociues dhe po punon për të përmbushur kriteret për mbylljen e kapitujve të tjerë.
Kos tha se Shqipëria duhet të punojë edhe në mbrojtjen e mjedisit, ndërsa theksoi se ajo synon që në vitin 2027 të mbyllë negociatat e anëtarësimit.
Duke folur për Maqedoninë e Veriut, komisonerja Kos tha se përkushtimi i vendit ndaj reformave të BE-së në kuadër të Agjendës së Reformave, duhet të shoqërohet tani me të njëjtën vendosmëri pë të ecur përpara në rrugën drejt anëtarësimit.
Ajo tha se kushtet për Maqedoninë e Veriut janë që ajo të përmbushë zotimin për ndryshimet kushtetuese, siç parashihet në konkluzionet e Këshillit të BE-së të 18 korrikut 2022.
Kos tha objektivi i Komisionit Evropian është hapja e kapitullit të parë të negociatave me Maqedoninë e Veriut sapo të përmbushen kushtet dhe tani “gjithçka varet nga Maqedonia e Veriut”.
Duke folur për Bosnjë dhe Hercegovinën, Kos, tha se ka një rënie të përkushtimit ndaj rrugës së integrimit në BE. Ajo tha se reformat kryesore që lidhen me BE-në ende duhet të miratohen ndërsa puna e ekzekutivit dhe legjislativit ka vazhduar të pengohet nga mungesa e një koalicioni qeverisës funksional.
Duke folur për Kosovën, Kos tha se ajo ka mbetur e përkushtuar ndaj rrugës së saj evropiane duke gëzuar një nivel të lartë të mbështetjes publike për integrim në BE.
Sipas saj, ngërçi institucional ka ndikuar në zbatimin e reformave që lidhen me BE-në gjatë periudhës raportuese, mirëpo, së fundmi Kosova intensifikoi zbatimin e Agjendës së Reformave.
Ajo tha se BE-ja mirëpret zgjedhjen e presidentes së re me shpresë që stabiliteti i ripërtërirë institucional t’i mundësojë Kosovës përparim.
Ndërkaq sa i përket Serbisë, Kos ka deklaruar se ka shënuar hapa prapa në fushat themelore, veçanërisht në të drejtat themelore, lirinë e shprehjes, lirinë akademike dhe administratën publike.
Ajo ka thënë se qeveria e re serbe do të ketë mundësinë ta ndryshojë këtë kurs, të forcojë institucionet demokratike dhe të drejtat themelore, si dhe të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të avancuar në rrugën e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.
Kos ka vlerësuar se Serbia është ndër vendet kandidate me nivelin më të lartë të përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe është e përgatitur mirë për tregun e vetëm dhe konkurrueshmërinë.






















