| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Identifikohen eshtrat edhe të tre pjesëtarëve të “Grupit të Intelektualëve”
Këto tre identifikime të reja i pasojnë tre identifikimet e mëparshme nga ky grup javë më parë ku u identifikuan eshtrat e Idriz Rrecaj, Adem Beqiri dhe Sali Mëziu
Identifikohen eshtrat edhe të tre pjesëtarëve të “Grupit të Intelektualëve”
Identifikohen eshtrat edhe të tre pjesëtarëve të “Grupit të Intelektualëve”

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka bërë të ditur se janë identifikuar edhe tre viktima të zhdukjes me dhunë gjatë luftës, që i përkasin rastit të njohur si “Grupi i Intelektualëve” të cilët u gjetën në varret masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut. 

Komisioni njoftoi se pas pranimit të raporteve nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, lidhur me identifikimet e reja, së bashku me Institutin për Mjekësi Ligjore dhe Drejtorinë e Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës-Sektorin për Persona të Zhdukur, ka zhvilluar takime me familjarët e viktimave të zhdukjes me dhunë për t'i njoftuar për identifikimet e reja.

“Janë identifikuar edhe tre viktima të zhdukjes me dhunë gjatë luftës, që i përkasin rastit të njohur si ‘Grupi i Intelektualëve’: Adem (Fazli) Ademi, Fatmir (Bajram) Fazlija, Ali (Islam) Haliti. Në këto momente të rënda, ndajmë dhimbjen me familjet dhe u shprehim ngushëllimet më të sinqerta”, thuhet në njoftimin e Komisionit.

Këto tre identifikime të reja i pasojnë tre identifikimet e mëparshme nga ky grup javë më parë ku u identifikuan eshtrat e Idriz Rrecaj, Adem Beqiri dhe Sali Mëziu.

Identifikimi i tyre u bë bazë të raporteve të ADN-së dhe vlerësimit të antropologut mjekoligjor.

Komisioni ka bërë të ditur se në vijim priten identifikime të tjera, për të cilat do të njoftohen fillimisht familjet përkatëse, duke respektuar të drejtën e tyre për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të rrëmbyer e të zhdukur me dhunë, si dhe çdo kërkesë të drejtë të familjeve.

"Grupi i Intelektualëve të Mitrovicës" që përbëhej prej 23 personash, ishte zhdukur që nga prilli i vitit 1999, ndërsa në mesin e tyre kishte mjekë, profesorë, avokatë dhe profesionistë të tjerë.



BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë