Pekini tha se është në komunikim me palët përkatëse lidhur me një samit të mundshëm trepalësh mes liderëve të Kinës, Rusisë dhe ShBA-së më vonë gjatë këtij muaji, raportuan mediat shtetërore.
"Kina po mban komunikim me palët përkatëse lidhur me një takim të krerëve të shteteve të Kinës, Rusisë dhe ShBA-së", u tha gazetarëve në Pekin zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Mao Ning.
Ajo po i përgjigjej një raportimi të "Financial Times", sipas të cilit zyrtarët e të tri vendeve po koordinojnë përgatitjet për një takim të tillë në margjinat e samitit të planifikuar të liderëve të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), i cili do të mbahet më 18-19 nëntor në Shenzhen, në juglindje të Kinës, raportoi e përditshmja me seli në Pekin "Global Times".
Presidenti kinez Xi Jinping do të presë liderët dhe përfaqësuesit e 21 ekonomive anëtare të APEC-ut, përfshirë presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin amerikan Donald Trump. "Puna për organizimin e një takimi të tillë është duke vazhduar", i tha të përditshmes britanike zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
"Një person i njohur me bisedimet tha se Uashingtoni dhe Moska po i bënin presion Kinës që të pajtohej me mbajtjen e një takimi të tillë", raportoi gazeta të martën.




















