| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Kryeministri Rama: Serbia mbetet e mbyllur ndaj njohjes së Kosovës
Kryeministri Rama ka marrë pjesë në "Euronews Enlargement Summit" në Bruksel, një forum i nivelit të lartë kushtuar zgjerimit të BE-së dhe perspektivës europiane të vendeve aspirante për anëtarësim.
Kryeministri Rama: Serbia mbetet e mbyllur ndaj njohjes së Kosovës
Kryeministri Rama: Serbia mbetet e mbyllur ndaj njohjes së Kosovës/ AA

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke i komentuar zhvillimet politike në Serbi dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, ka deklaruar se Serbia mbetet e mbyllur ndaj njohjes së Kosovës.

Kryeministri Rama ka marrë pjesë në "Euronews Enlargement Summit" në Bruksel, një forum i nivelit të lartë kushtuar zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe perspektivës evropiane të vendeve aspirante për anëtarësim.

Rama u shpreh se ka shumë çështje komplekse, por ai shtoi se në fund të fundit nuk ka asgjë më të mirë se Bashkimi Evropian.

"Jemi pjesë e një rajoni që ende nuk është plotësisht pjesë e BE-së, kështu që jemi ne ato që dëgjojmë leksione, nuk japim leksione, ky është rregulli këtu në Bruksel. Pra, nuk do t’i jap leksion askujt, por do të them thjesht që po Serbia është një pjesë shumë e rëndësishme e mozaikut të Ballkanit Perëndimor, por gjithmonë kam qenë avokat i faktit që nuk duhet ta lëmë Serbinë të shkojë në drejtimin e gabuar dhe ta braktisë projektin evropian, sepse kjo do të dëmtonte pikësëpari rajonin tonë", tha ndër të tjerash Rama.

Duke folur edhe për zhvillimet e fundit politike në Serbi, Rama tha: “Ajo çfarë di, është që fituesit (në zgjedhje) në Beograd nuk tregojnë hapje për atë që është çështja më e dashur për mua dhe shqiptarët, që është çështja e njohjes së Kosovës. Ata janë tërësisht të mbyllur ndaj kësaj çështjeje, kështu që kjo nënkupton se muzika në Beograd nuk do të ndryshojë”, theksoi Rama.

Duke folur sërish për Serbinë, Rama tha se "Serbia ka dëshmuar një hezitim të normalizimit jo vetëm me Kosovën, por edhe qëndrimi që ka karshi Rusisë dhe sanksioneve. Na duhet Serbia të jetë me ne, duhet që Serbia të jetë pjesë e një fqinjësie që duhet të jetë pjesë e plotë e BE-së. Serbia duhet të tregojë rezultate dhe duhet ta meritojë plotësisht këtë përkatësi, duke e realizuar plotësisht atë çka është e panegociueshme në raport me BE-në".

Duke folur në lidhje me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, Rama tha se plani për mbylljen e negociatave mbështet nga Komisioni Evropian.

"Ne po punojmë shumë fort me një plan të përbashkët, një plan i mbështetur plotësisht nga Komisioni (Evropian) për t’i përmbyllur negociatat në fund të vitit 2027. Gjithçka po ecën në përputhje me planin, nëse do të vazhdojë kështu deri në fund të viti tjetër, do të përmbyllim negociatat", u shpreh Rama.