Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha ka deklaruar se Gjermania është një partner kyç dhe një mbështetëse e fortë e udhëtimit evropian të Shqipërisë.
Ministri Hoxha po zhvillon një vizitë zyrtare në Berlin, ku është takuar me ministrin gjerman të Shtetit për Evropën, Gunther Krichbaum.
Në një njoftim nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thuhet se Hoxha dhe Krichbaum diskutuan mbi rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe "angazhimin e saj të palëkundur" ndaj reformave dhe progresit të qëndrueshëm.
Sipas njoftimit, ministrat u ndalën në "mbështetjen e fortë të Gjermanisë për zgjerimin e BE-së" dhe vendosmërinë e përbashkët për të siguruar një proces të besueshëm anëtarësimi të bazuar në meritë, "që përkthen reformat në hapa konkretë drejt anëtarësimit të plotë".
Në një reagim në rrjetet sociale pas takimit, ministri Hoxha theksoi se Gjermania është një partner kyç dhe një mbështetëse e fortë e udhëtimit evropian të Shqipërisë.
“Ne e vlerësojmë thellësisht këtë partneritet dhe presim me padurim të punojmë edhe më ngushtë së bashku për një marrëdhënie më të fortë dypalëshe dhe për të ardhmen e përbashkët evropiane", ka deklaruar Hoxha.






















